Tre akte që e dënojnë Shqipërinë me vdekje!

Nga Andi Bejtja

Diku aty nga vitet 2000, një miku im gazetar nga Estonia, më tha diçka, që sa herë kaloj në rrugët e Tiranës, nuk ka moment që mos ta sjell në mendje: Do kishte qenë ideale që për zhvillimin e turizmit të Tiranës, sikur ta kishit ruajtur Tiranën e vjetër të Enver Hoxhës, të papërzier me pallate, godina të reja dhe Kryeqyteti i Ri, të zhvillohej jashtë kësaj harte. Më kumbon akoma në mendje kjo ide, edhe pse e gjykoj utopi për shqiptarët që dolën të uritur nga tranzicioni, teksa sot shikojmë ata grupe turistësh që vinë në kryeqytetin tonë për të parë kaq gjëra, që përfundojnë në një perimetër shumë të vogël: nga ish vila e Enver Hoxhës deri pak metra më tej tek instalacioni bunker i Fatos Lubonjës.

E di që kjo ide nuk mund të realizohej kurrë, po nga tjetër nuk e kam besuar që do të bënim kaq pak rezistencë kur Tirana filloi të shkatërrohej me ngadalë, duke u përdorur si tokë e djegur duke aplikuar, kryesisht nga Kryetari më jetëgjatë i Bashkisë tezën “ një pallat një votë”, duke shkatërruar me ndërgjegje të plotë këtë qytet, duke i dhënë benefite disa ndërtuesve të lidhur me politikën, për të kapur kreun e Partisë Socialiste. Shkurt dhe shqip u shkatërrua një qytet për të marrë një parti. Dhe batërdia urbanistike vazhdon, me dhjetëra kulla do të ndërtohen në qendrën e vjetër të Tiranës edhe pse shumë natyrshëm këto kulla mund të të ndërtoheshin në zgjatimin e bulevardit të ri. Dhe atje, për parantezë projektet parashikojnë kulla, kulla kulla, jashtë çdo lloj logjike ekonomike, madje dhe jashtë llogarive të atyre që janë suksesshëm në pastrimin e lekëve. Jam i bindur, që pak më vonë, do binden dhe më euforikët që ky bum i përkohshëm ndërtimesh, thjesht do sjellë zhvlerësim të pronës, katastrofë urbanistike dhe ekonomike. Askush nuk do të përfitojë vetëm në thjesht do kuptojmë që e kemi dënuar kryeqytetin e një vendi me vdekje.

Një ngjarje tjetër, që mund t’i ketë shpëtuar syrit të shumë njerëzve, është dhe ndërtimi i Minierës se Pasurimit të Bakrit, mu brenda perimetrit të Burgut famëkeq të Spacit, ku kanë vuajtur dënimin gjatë kohës komunizmit me qindra mijëra shqiptarë. Ky gulag i vërtetë, unik për Europën dhe më gjerë duhej të ishte kthyer më kohë në muze, jo thjesht dhe vetëm për nder të viktimave të komunizmit, por edhe si një atraksion parasjellës, që do të vizitohej nga të gjithë ata turistë që do vizitonin Shqipërinë. Sado fitmim prurëse mund të jetë kjo minierë, kishte me dhjetëra zgjidhje që mund ta mbanin larg këtij perimetri, por ajo fatkeqësisht rri aty, në këmbët e gulagut, thjesht dhe vetëm për ta na kujtuar që gjëja që udhëheqësit Shqiptarë vendi që duan më pak është atdheu i tyre. Edhe këtu arroganca dhe etja ndaj parasë, triumfon përdhunshëm jo vetëm ndaj viktimave të komunizmit, por ndaj dashurisë, dhe pse jo dhembshurisë për këtë vend.

Dhe akti i tretë, më i pamendueshmi, një krim i mirëfilltë kombëtar është hapja rrugë e tre heceve në Osum. Osumi ishte një pikat më të forta të vitrinës së Shqipërisë turistike në botë. Janë me mijëra turistët e impresionuar nga kanionet përgjatë këtij lumi, që kanë ardhur dhe rivinë në Shqipëri pikërisht për të gëzuar të të gjithë atë çka u jep ky peizazh si nga ana natyrore ashtu edhe ato sportive. Ky është përçudnimi më i madh që po i bëhet këtij vendi, dënim i mirëfilltë me vdekje, aq sa pas disa kohësh, ndoshta kur të bëjmë listën e atyre që kanë udhëhequr këtë vend ndër vite, pavarësisht nga krimet që mund të ketë kryer, fatkeqësisht patriot në raport me natyrën dhe asaj që i ka dhuruar zoti këtij vendi do të mbesë vetëm një: Enver Hoxha.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme