Tre ekspertë dëgjohen sot në gjykatë për gjendjen e Murat Jasharit

Të thirrur sipas propozimit të avokates së Murat Jasharit, tre ekspertë do të dëgjohen sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës në gjykimin e të akuzuarve për anëtarët e organizatës “Syri i Popullit”.
Jashari, njëri nga të pandehurit e këtij rasti akuzohet në lidhje me sulmin që ndodhi ndaj avokatit Azem Vllasi, i cili ishte plagosur në mars të vitit të kaluar në afërsi të banesës së tij në Prishtinë.

Avokatja e Murat Jasharit, Fehmije Gashi– Bytyqi pretendon se i mbrojturi i saj veproi në gjendje të paaftësisë mendore dhe për këtë qëllim kërkon që Jashari të mos jetë pjesë e gjykimit por t’i nënshtrohet trajtimit.

Seanca e sotme është planifikuar të fillojë nga ora 10:00.

Përveç Murat Jasharit dhe Bajrush Konjushës të akuzuarit tjerë të këtij procesi gjyqësor janë Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre më 28 shkurt.

Mbi 10 të akuzuarit rëndojnë vepra penale hakmarrje duke filluar ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016./Kallxo.com

Lini Një Koment