Tri fabrika dhe tri restorante u mbyllën sivjet për shkak të papastërtisë

15 lokaleve u është vënë dryni që nga viti i kaluar për shkak të mungesës së higjienës e helmimit të qytetarëve. Vetëm gjatë këtij viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës i ka mbyllur tri fabrika të përpunimit të mishit dhe qumështit dhe tri restorante meqenëse ka pasur dyshime për helmim të konsumatorëve.

Ushqimi që kishin ngrënë për pak u kushtoi me jetë disa banorëve të Drenasit. Rreth 80 banorë të kësaj komune u helmuan nga ushqimi që porositën në një nga gjellëtoret e qytetit, mbrëmjen e 18 majit të këtij viti.

Ata dyshohet se u helmuan nga sosi dhe mishi që iu shërbye atë mbrëmje.

Për këtë rast, Policia kishte nisur hetimet, derisa lokali ishte mbyllur përkohësisht. Por, ky nuk është lokali i vetëm që i është vënë dryni për shkak të dyshimeve për helmim.

Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës i kanë thënë Gazetës Express se në dy vjetët e fundit janë mbyllur më shumë se 15 lokale.

Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi ka treguar se vetëm gjatë këtij viti janë mbyllur tri biznese, derisa ka thënë se bizneset që janë mbyllur kanë qenë fabrika të përpunimit të mishit dhe qumështit, si dhe restaurante.

“Këtë vit janë mbyllur tri subjekte, të cilat nuk i kanë përmirësuar kushtet higjeno-sanitare. Si subjekte që janë mbyllur janë fabrika të përpunimit të mishit dhe të qumështit si dhe depo të subjekteve importuese”, ka thënë ai.

Mbyllje të lokaleve ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar. “Gjatë vitit të kaluar përkohësisht janë mbyllur 11 subjekte. Po ashtu, gjatë këtij viti kemi mbyllur tri subjekte afariste hoteliere me arsyen se ka pasur dyshime në helmim dhe pas verifikimit dhe konstatimit me analiza, është vazhduar me procedura tjera ligjore”, thuhet në përgjigjet e Thaçit drejtuar Gazetës Express.

Thaçi thotë se objektet mbeten të mbyllura deri në eliminimin e parregullsive, derisa ka thënë se arsyeja kryesore e mbylljes në shumicën e rasteve janë kushtet higjeno-sanitare.

“Arsyeje e mbylljes janë kushtet higjeno-sanitare dhe rreziku potencial që në rast të mospërmirësimit vjen deri të helmimi i konsumatorëve. Kemi raste që në fabrika të përpunimit të iu ndalohet vetëm një produkt, i cili është konstatuar se nuk është në rregull për sa i përket kritereve mikrobiologjike dhe iu është lejuar dalja në treg me atë produkt vetëm pas marrjes së masave korrigjuese dhe rezultatit të analizave laboratorike, ku është konstatuar se produkti është konform rregullores për kriteret mikrobiologjike”, ka thënë Thaçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme