Truri na shtyn të hamë ushqimin që na trash

Sakte.net / e Shtunë 24 Shator 2016 / 16:27

Ushqimi i ëmbël, i njelmët, i shëndetshëm dhe i pashëndetshëm nuk është fajtori kryesor që trasheni dhe hani pa kontroll – partneri në krim është vetë truri juaj.

Krofnet, çokollatat dhe ëmbëlsirat kanë superfuqi. Keni ngrënë mëngjes, jeni të mbushur, por aroma e tyre tërheqëse, pamja joshëse, shija magjike thjesht ju pushtojnë dhe nuk keni zgjidhje tjetër, përveçse të provoni një kafshatë, dy, tri. Pa e kthyer mirë kokën dhe nuk ka më ëmbëlsirë dhe tani mundeni vetëm të lëpini gishtat. Edhe tani u ktheheni punëve me brejtje të ndërgjegjes. Dhe me stomak të mbushur, transmeton Koha.net. Ushqimi i cili është më i shijshëm është zakonisht ai që trashë më së shpeshti, por ai nuk është fajtori kryesor për mbledhjen e kilogramëve e as për atë që për të satën herë keni thyer rregullat e dietës. Partneri juaj në krim është askush tjetër, përveçse truri juaj!

Pikërisht kështu, truri juaj, dhe jo stomaku. Truri ka faj pse ju shkon goja lëng vetëm kur mendoni për ëmbël, njelmët, çokollatë ose patate të fërguara, hot-dog, hamburger dhe kështu me radhë. Dhe krejt rastësisht hulumtuesit së fundi kanë filluar t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj lidhjeje në mes trurit dhe ushqimit, dhe krejt kjo për të zbuluar mënyrat për t’i rezistuar tundimit dhe mbajtjen e linjës së hollë.

Shkurt, zbuloni sistemin kompleks të rrjetit të neuroneve, e ashtuquajtur “rruga e shpërblimit”, e cila është zhvilluar me miliona vite dhe e cila versioneve tona prehistorike u ka dhënë mundësinë të bëjnë çdo gjë që është e mundshme për të mbijetuar – që të ushqehen, për shembull. Ushqimi me shumë kalori ka qenë gjë e rrallë dikur dhe njëkohësisht vendimtar për të mbijetuar kështu që truri ynë e ka mësuar veten për t’u “droguar” me kimikatet e këndshme si dopamina dhe serotonina, dhe atë në formë të reagimit ndaj shijes, aromës dhe madje njerëzve dhe vendeve që kanë asociuar me vendet e pasura me ushqim. Ky efekt ka pasur për pasojë ngrënien e tepërt kudo dhe kurdo që ka qenë e mundshme. Uji bashkë me gjelbërimin e ushqimin tjetër bimor ishte lehtë të gjendej prandaj edhe sot nuk keni dëshirë të madhe për to. Të paktën kështu konsideron Nora Volkow, hulumtuesja e specializuar për varësi dhe drejtoreshë e Institutit nacional për keqpërdorim të drogave nga Bethsede në Maryland e cila ka kryer një varg të hulumtimeve në temën e raportit të ushqimit dhe i drogës me dopaminën. Ky sistem ka funksionuar në përputhje me rrethanat deri te kohët moderne kur delikatesat e yndyrshme, kalorike dhe të pashëndetshme janë vënë në dispozicion 24 orë në ditë.

Prandaj, më së miri është të dëgjoni barkun tuaj: sinjali për urinë e vërtetë, respektivisht nevoja biologjike e trupit tuaj për energji vjen nga barku, ndërsa truri e përpunon. Kur keni nevojë për energji stomaku lëshon hormonin e urisë grelinë dhe e dërgon në hipotalamus, qendra komanduese në tru e cila menaxhon metabolizmin. Rezultati i kësaj është gjurmim më i madh në frigorifer dhe kërkimi i ushqimit, transmeton Koha.net. Pastaj, kur jeni të mbushur, qelizat tuaja yndyrore lëshojnë leptinën e cila sinjalizon se është koha të largoheni nga pjata. Por të gjithë ne e dimë se çfarë fuqie kanë çokollata dhe ëmbëlsirat – dëshira të cilën e zgjon në ne është shumë e fortë dhe me lehtësi do të fillojmë t’i hamë pavarësisht sa jemi të mbushur, veçanërisht nëse jemi nën stres ose jemi të lodhur. E pra si ta gënjejmë veten atëherë? Është vështirë, por ia vlen të provohet, ndoshta më së miri është duke ndryshuar shprehitë, pohon hulumtuesja.