Turqia nuk do ta tolerojë zhvendosjen e kufirit detar nga Greqia

Turqia e ka paralajmëruar Greqinë të martën se nuk do ta tolerojë zhvendosjen e kufirit detar midis këtyre dy shteteve, disa ditë pasi që Athina ka paralajmëruar shtrirje në ujërat territoriale, në perëndim të këtij shteti.

Ujërat territoriale janë çështje delikate midis dy shteteve fqinje, të cilat i ndan Deti Egje. Turqia dhe Greqia kanë pasur përplasje rreth kufijve të tyre tokësorë për shumë dekada.

Turqia kishte paralajmëruar më herët se nuk mund ta përjashtojë aksionin ushtarak për mbrojtjen e interesave të veta.

Ish-Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili ka dhënë dorëheqje gjatë javës së kaluar, ka deklaruar të shtunën se Athina planifikon që t’i shtrijë ujërat e veta territoriale në Detin Jon, në bregdetin perëndimor të shtetit. Masa e planifikuar nuk do ta përfshijë rajonin e Egjeut, në bregdetin lindor dhe jugor të Greqisë.

Ministria e Jashtme turke, megjithatë ka thënë se është duke përcjellë për së afërmi veprimet e Athinës, disa ditë pas deklaratave për ekspanzion gradual të ujërave territoriale greke.

“Nuk do të tolerohen hapa, për të cilat nuk do të ketë marrëveshje dypalëshe rreth Egjeut, ku dy shtetet kanë pika të përbashkëta”, ka thënë përmes një deklarate zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy.

Lini Një Koment