Uashingtoni në nëntor shteti i 51-të i SHBA?

16 Gusht 2016 – 13:09    Sakte.net

Këtë nëntor, qyteti i Uashingtonit, që quhet edhe Distrikti i Kolumbias, do të mbajë një referendum për kthimin e tij në shtetin e 51 të Shteteve të Bashkuara. Përpjekje të ngjashme për shtetësi kanë dështuar në të kaluarën, por nisma e re ka entuziazmuar si kritikët, edhe mbështetësit, transmeton Zëri i Amerikës.

Josh Burch e kupton mirë thirrjen e revolucionarëve amerikanë nga viti 1776 – Jo taksim pa përfaqësim!

“Kur mbusha 18 vjeç, e kuptova se çdo të thotë që vota jote mos të ketë rëndësi, dhe unë nuk mund ta kem ndërgjegjen e pastër duke ndenjur mënjanë, pa u siguruar se fëmijët e mi do të trajtohen barabar si qytetarë amerikanë,” thotë ai.

Zoti Burch, banor me rrënjë i Uashingtonit, themeloi grupin “Fqinjët e Bashkuar për Shtetësinë,” pjesë e një lëvizjeje e drejtuar nga kryetarja e bashkisë, për t’i dhënë banorëve të Uashingtonit një votë, dhe një zë.

Kushtetuta i jep Kongresit juridiksion mbi një sipërfaqe jo më shumë se 26 kilometra katrorë, nga e cila qeveris vendin.

Kjo sipërfaqe është vendbanimi i afro 700.000 njerëzve, të cilët paguajnë taksa, por që edhe e drejta për të votuar për presidentin i pat qenë mohuar deri më 1961. Ata ende nuk kanë përfaqësues me fuqi votuese në Kongres, edhe pse senatorët dhe përfaqësuesit e tyre “në hije” mund të marrin pjesë në debate.

Senatori “në hije” Paul Strauss thotë se shtetësia është mënyra më e mirë për t’i dhënë të drejta të plota banorëve të qytetit.

“Banorët e Uashingtonit shërbejnë në ushtri, paguajnë taksa federale, i shërbejnë qeverisë së tyre në mënyra të ndryshme, dhe t’i mohohet barazia me amerikanët e tjerë është gabim”.

Përkrahësit theksojnë se Uashingtoni ka më shumë banorë se Vermonti ose Uajoming, por këto shtete kanë të njëjtin përfaqësim në Senat, si shtetet me popullsi të lartë si Nju Jorku ose Kalifornia.

Megjithatë, lëvizja për shtetësi ka mjaft kundërshtarë.

Roger Pilon, drejtor themelues i Qendrës për Studime Kushtetuese në Institutin Cato, thotë se kthimi i Uashingtonit në shtet nuk është kushtetues.

“Problemi i madh në këtë rast është se në bazë të kësaj doktrine, qeveria federale nuk ka të drejta për të krijuar një shtet të ri”.

Argumenti më i fortë i kundërshtarëve është partiak. Banorët e Uashingtonit kanë votuar gjithmonë për demokratët gjatë zgjedhjeve për qytetin, kështu që shtetësia do të garantonte më shumë demokratë në Kongres.

Debati do të vazhdojë në nëntor, kur banorët e qytetit të votojnë mbi një plan të propozuar nga Komisioni i Shtetësisë Nju Kolumbia. Plani parashikon që ndërtesat qeveritare si Shtëpia e Bardhë dhe Selia e Kongresit të përbëjnë një territor më të vogël federal, ndërsa pjesa tjetër të kthehet në shtetin e Nju Kolumbias, nga Distrikti i Kolumbias që është tani.