Vazhdojnë përpjekjet SHBA – Rusi për një armëpushim në Siri

04 Shtator 2016/16:13/Sakte.net

 

Ndërsa udhëheqësit botërorë mblidhen në qytetin Hangzhou të Kinës për Takimin e Udhëheqësve të Vendeve të G-20-tës, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po punojnë për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi në Siri, e cila do të mundësonte më shumë ndihma humanitare në vendin e rrënuar nga lufta.

Të dyja vendet duket se po i afrohen një mirëkuptimi, por ka ende pengesa. Ekzistojnë shpresat se Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, do të kenë shansin të bisedojnë për këtë çështje gjatë punimeve të takimit të G-20-ës. Deri tani, ende nuk është rënë dakort për një bashkëbisedim të tillë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u takua të dielën me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, dhe do të takohen sërish nesër.

“Më duhet të them se ekzistojnë ende disa çështje të vështira për të cilat biseduam sot”, u tha zoti Kerry gazetarëve pas takimit, por nuk dha detaje të mëtejshme. “Do të takohemi prapë nesër në mëngjes për të parë nëse është e mundur të gjejmë një përfundim të përbashkët”, tha ai.

Zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha se të dyja palët gjenden pranë një marrëveshjeje dhe se tashmë po diskutojnë aspektet më serioze të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit. “Puna intensive po vazhdon. Por, derisa të vendosim edhe tullën e fundit, nuk mund të themi se kemi arritur rezultat”, tha zoti Ryabkov.

Lufta civile në Siri ka vrarë mbi 250 mijë persona dhe ka zhvendosur rreth 11 milionë të tjerë, duke shkaktuar një krizë refugjatësh në Lindjen e Mesme dhe Evropë. Konflikti gjithashtu po kontribuon për shtimin e grupeve militante islamike.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe rusë janë takuar gjatë javëve të fundit për të arritur parametrat e përbashkët për një marrëveshje. Marrëveshjet e mëparshme të armëpushimit nuk i kanë qëndruar kohës, pasi palët mbështesin grupe të kundërta të angazhuara në këtë luftë 5-vjeçare.

“Kemi mospërputhje me rusët për sa i përket palëve që mbështesim, si dhe për proçesin që nevojitet për të sjellë paqen në Siri”, u tha sot Presidenti Obama gazetarëve.

Presidenti rus Putin citohet të ketë thënë se konflikti sirian mund të zgjidhet vetëm politikisht.

Moska ka mbështetur Presidentin sirian Bashar al-Assad, por Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me forcat e opozitës së moderuar që luftojnë kundër Assadit.

“Nëse rusët nuk lëshojnë diçka, për të ulur dhunën dhe për të lehtësuar krizën humanitare, atëherë është e vështirë të kalojmë në fazën tjetër”, u shpreh Presidenti Obama.