Vdekja e 19-vjeçarit në QKUK: Dyshime për gabimin e specializantit dhe vonesën kirurgëve

Pas më shumë se një muaj nga vdekja e 19-vjeçarit në QKUK, hetimet ende janë duke vazhduar nga Inspektorati Shëndetësor i MSH-së dhe Policia e Kosovës. Rasti ende nuk ka përfunduar në Prokurori, ndërsa Gazeta ka mësuar se janë dy pista të dyshimeve që kanë çuar në vdekjen e pacientit, gabimi i një specializanti në Emergjencën e QKUK-së dhe vonesën e kirurgëve për të kryer operacionin
Mesnata e 6 dhe 7 gushtit të këtij viti ka qenë tronditëse për familjen Leku nga Drenasi. E dërguan djalin e tyre 19-vjeçar Drinin, në këmbët e tij në QKUK dhe e kthyen në arkivol një ditë më pas. Por kjo histori tragjike fillin e ka dy ditë më herët, më 4 gusht kur Drini për shkak të vjellave dhe dhimbjeve të barkut kërkon ndihmë në Emergjencën e QKUK-së. Familja në një deklaratë për media kanë thënë se personeli mjekësor kanë refuzuar ta shtrijnë në spital, me arsyetimin se nuk ka asgjë serioze.

Gazeta Shneta ka mësuar nga burime se vizita e 4 gushtit është një nga pistat e hetimeve të Inspektoratit Shëndetësor. Sipas këtij burimi, ISH është duke hetuar nëse personeli mjekësor i ka dhënë shërbimin e duhur pacientit. Gazeta ka mësuar se Drinin e ka kontrolluar një specializant, emër i njohur për redaksinë. “Pacientin e ka kontrolluar specializanti dhe dyshohet se e ka lëshuar të shkoj në shtëpi pa u konsultuar me specialistin”, ka deklaruar ky burim.

Por Drinit dhimbjet nuk i janë ndalur dhe gjendja i është përkeqësuar më datën 6 gusht. I ndjeri ishte dërguar sërish në Emergjencën e QKUK-së, por sërish kujdesi sipas familjarëve, ishte i mangët dhe i shpërfillshëm. “Pritjet e mëtutjeshme të personelit mjekësor ishin të pajustikueshme. Më në fund mjekët vendosin ta operojnë, dhe nuk e dërgojnë në sallën modern të operimit, por e dërgojnë në sallën e operimit në Bodrum, ku nuk kishte as kushte minimale”, kanë deklaruar familja Leku.

Xhaxhai Drinit, Naser Leku, ka deklaruar për Gazetën se personeli mjekësor kanë hezituar ta fusin pacientin në operacion pa vendimin e kirurgut Bedri Braha. Ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm në Klinikë disa herë gjatë ditës së 6 gushtit. Gazeta posedon raportin zyrtar të hyrje-daljes së Brahës nga parkingu i QKUK-së. Kirurgu ka dal nga QKUK në ora 17:41 dhe është kthyer në ora 18:49, ndërsa ka dal sërish në ora 21:24 për t’u kthyer në ora 21:54. “Disa mjekë të tjerë që kanë qenë aty na kanë thënë se nuk mund ta fusim në operacion pa ardhur Bedri Braha”, ka deklaruar Naser Leku.

Braha për Gazetën ka deklaruar se vendimin për operacion e ka marr shefja e ekipit, Dr. Preveza Abrashi, teksa shton se kanë bërë të pamundurën që operacioni të kryhej suksesshëm. Në anën tjetër, Abrashi nuk ka pranuar të flas lidhur me rastin duke thënë se për këtë ka dhënë deklaratën zyrtare në SHSKUK. Kujtojmë se në natën kritike klinika është inspektuar nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, i cili rreth orës 00:30 ka konstatuar se Braha ka munguar në vendin e punës dhe si rezultat ka marr vendim për suspendimin e tij nga puna.

Në raportin zyrtar të përpiluar nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale me kërkesë të drejtorit të SHSKUK-së, Abrashi në deklaratën e saj ka shkruan se pacienti është pranuar në klinikë rreth orës 14:15 në repartin B. Abrashi shkruan në raport se Dr. Besim Sermaxhaj ka provuar tri herë t’ia vendos sondën nazogastrike, por pacienti nuk ka mundur ta durojë dhe ka vjellë.
Tutje tregohet terapia e cila i është dhënë më pas dhe thuhet se “Familjarëve ju tregohet se rastet si ky përcjellen për një kohë të shkurtë dhe nëse nuk ka përmirësim operohen urgjent. Pacienti përcjellet në mënyrë kontinuale me vizita nga ekipa specialistike. Rreth orës 16:30 edhe pse pacienti ishte me terapi, dhe gjer atëherë ka marrur rreth 2L lëngje dhe terapinë e lartëshënuar, përkeqësohet gjendja me hipotension, tahikardi, djersitje, apati, përgjumje (kollaps cirkulatore”, thuhet në raport.
Për stabilizimin e gjendjes së pacientit, ishte thirrë urgjent ekipi i Reanimacionit dhe Kardiologu. Pas këtij intervenimi dhe disa analizave, në raport thuhet se pacientit i është stabilizuar gjendja dhe rreth orës 21 është vendosur të dërgohet në sallën operative.
Për të shkuar deri në sallën operative, familjarët thonë se janë sjellë me pacientin rreth 40 minuta nëpër korridoret e Kirurgjisë. “Koha derisa është dërguar prej një korridori në tjetrin, kat mas kati, ka zgjatur së paku 40 minuta, dhe vetëm maltretimi gjatë kësaj rruge për 40 minuta ia ka shkaktuar vdekjen Drin Lekut, të cilit ia kthejnë jetën me pompimin e zemrës, e pastaj ia fillojnë operacionit, por ishte tepër, tepër vonë për çdo gjë, dhe kështu për shkak mosofrimit me kohë të ndihmës mjekësore adekuate profesionale, si dhe për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor, gjatë operacionit i shkaktohet vdekja me dt.08.08.2018 në ora 00:06 minuta, në mënyrë të panatyrshme dhe të parakohshme”, thuhet në deklaratën e familjes.
Ndonëse Abrashi ka shkruar në raport se gjendja e Drinit ishte stabilizuar, ajo ka pranuar poashtu se i ndjeri kishte pësuar sulm tahikardie me puls mbi 190/min. Pas masave reanimatore, kishte filluar operacioni rreth orës 22:40 nga operatori Dr. Bedri Braha, Dr. Besim Sermaxhaj dhe Dr. Ilir Hajzeri, anesteziologë Dr. Tyrkan Karabegler dhe teknikët e anestezionit.
“Në minutat e para të operacionit pacienti pëson fibrilacion ventrikular dhe operacioni duhej të ndërpritej që të fillohet me reanimim urgjent, mesazhe të zemrës nga kirurgu Dr. Bedriu dhe masat reanimatore nga anestezioni. Pacienti në ato momente vjellë sasi të madhe të përmbajtjes me erë shumë të rëndë. Gjendja më pas stabilizohet dhe operacioni vazhdon”, thuhet në raport.
Pas operacionit, pacienti ishte dërguar në Mjekimin Intensiv Qendror, ndërsa sipas deklaratës së familjarëve Drin Leku ka ndërruar jetë më datën 7 gusht në ora 00:06. Ata kanë shtuar se kufoma e të ndjerit ka qëndruar në korridorin e QKUK-së deri në ora 8:30 të mëngjesit, pasi personeli nuk e kishte raportuar rastin në Polici, përkundër kërkesës së tyre. Familja ka dyshime se qëndrimi në temperaturë të lartë i kufomës, ka humbur gjurmët e sëmundjes dhe operimit. Obduksioni i kufomës është bërë një ditë më vonë, ndërsa raporti nuk është përfunduar ende.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme