Vdiq si hero! Njihuni me historinë e dhimbshme të shqiptarit që vdiq në krahët e vëllait

Zef Picaku, një shqiptar nga Mirdita, kërkon drejtësi për vëllain e vrarë në sytë e tij në Itali në gusht të këtij viti. Viktorian Picaku shpëtoi nga dhuna e ish-të dashurit një vajzë italiane, por ai e ekzekutoi me pistoletë.

Ishte 30 korrik i këtij viti kur i riu ndërhyri për të ndihmuar një vajzë që po dhunohej nga ish-i dashuri i saj italian, Domenico Manzine, në mes të sheshit “Abazia” në Corado të Italisë, pa menduar kurrë se pikërisht në këtë çast, kishte “firmosur” vdekjen e tij.

Sot vëllai i mbetur gjallë, në një intervistë për “News 24” kërkon dënimin maksimal për italianin që po mundohet t’i shpëtojë drejtësisë.

“Ishte duke mbrojtur një vajzë, minorenë. Të paktën mos t’i humbë ajo e drejtë që ka bërë. Ishin dy-tre vajza dhe vëllai im. Vajza më tha se vëllai im nuk e po e ngacmonte, por erdhi një djalë italian dhe po e gjuante. Në atë kohë vëllai im i tha se vajzat nuk rrihet kështu. Dhe në këtë moment ai goditi me grusht edhe vëllain tim, dhe atëherë nisi sherri”, rrëfen ai.

Zef Picaku, i vetmi dëshmitar i ngjarjes së rëndë, tregon se ajo që ndodhi ishte krim nga dora e një gjakftohti. Ndërsa në Itali është duke u zhvilluar gjyqi ndaj dy autorëve të cilët kërkojnë të lehtësojë barrën ligjore duke thënë se donin vetëm t’i trembnin vëllezërit.

“Ishte diçka e paramenduar, se ata kanë qëndruar tre ditë si ta bënin. Nëse do ishte për ta trembur, ata nuk mund të gjuanin tre-katër herë me plumba në drejtim të vëllait tim. Donin ta gjuanin në kokë. Që të siguroheshin që kishte vdekur. Në atë moment shkova unë dhe i kapa dorën për t’i larguar pistoletën. Dhe më ka gjuajtur edhe mua dy herë në 50 cm largësi. Shpirti i vëllait tim që më ka mbrojtur…”, shprehet i riu Zefi.

Por cila ishte arsyeja që i shtyu dy vëllezërit shqiptarë të marrin rrugën e vështirë të emigracionit?!“Mami është shumë e sëmurë. Është me patericë, nuk mund të punojë. Babi është shumë keq me astmë. Dhe për atë shkova. Më shumë se mbase bëhesha më mirë andej, dhe t’i merrja t’i vizitoja. Atë mëngjes që ka ndodhur vrasja po flisnim me vëllain se çfarë mund të bënim, si mund t’i merrnim mamin dhe babin të paktën t’i vizitonim në Itali. Bëj apel që ata persona që e kanë bërë këtë gjë të mos dalin nga burgu, të verifikohet si ka ndodhur ngjarja. Se shteti e di të vërtetën”, thotë ai.

26-vjeçari ruan me fanatizëm në telefonin e tij bisedën e fundit të vëllait të ndjerë me motrën, ku teksa nisej për Itali i lë “amanet” të kujdeset për nënën. E ruan si një kujtim të veçantë që sipas tij, jetëson njeriun e rrallë që ishte vëllai i tij i vogël, “Një hero!”

 

Lini Një Koment