Vera e përgjysmuar pa mërgimtarët

Gazmend Dashi mezi pret verën që me familje të marrë rrugë nga Pfaffenhofeni i Bavarisë drejt vendlindjes në Stagovë të Kaçanikut. Shumicën e herëve vjen qëllimshëm me makinë që t’ua rrëfejë tre fëmijëve historinë e viseve të ndryshme shqiptare. Edhe në marsin e sivjetmë, kur pandemia nisi të përhapej me të madhe edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, Dashët ende shpresonin se do t’i kalonin pushimet verore në shpatet e fshatit malor të qytezës jugore të Kosovës.

“Po, gjithsesi, kemi planifikuar pushimet në Kosovë”, thekson që në krye të bisedës virtuale kryefamiljari Dashi, aktivist i njohur i shoqatës “Sali Çekaj” – dikur “Fan Noli” në qytetin jugor të Gjermanisë. Sikurse ai, edhe shumë mërgimtarë të tjerë kishin planifikuar pushimet dyjavore për festën e Pashkëve gjatë freskisë pranverore, apo gjatë muajve të nxehtë të verës. Megjithatë, virusi me kurorë ia ka ndryshuar planet Dashit. Dhe shumë të tjerëve, shkruan KOHA Ditore.

Image
Gazmend Dashi, lindur e rritur në Stagovë të Kaçanikut, jeton me familjen pesëanëtarëshe në qytetin bavarez Pfaffenhofen

“I/e dashur mërgimtar/e”

“Situata e keqe e pandemisë ka pamundësuar realizimin e këtyre pushimeve dhe ka lënë te shumica e mërgatës një ndjenjë dhimbjeje shpirtërore, sepse ajo është e lidhur me vendin dhe familjarët e tyre shpirtërisht, pavarësisht nga perceptimi, për mendimin tim, i gabuar, i disa individëve për mërgatën!” – thekson ai.

Me “I/e dashur mërgimtar/e” u është drejtuar më 3 korrik gubertqarëve poeti Besim Zymberi në poezinë e prej dhjetë vargjesh. “Këtij fillimkorriku, më shumë se vapa, më djeg mungesa e pranisë sate këtu…” – ka varguar Zymberi në postimin virtual që ka nxitur diskutimin e shumë komentuesve, përfshirë edhe mërgimtarë. “E kam frymëzimin më të thellë zërin tënd të munguar…”