Vetëvendosje në Shqipëri: Ndryshimet Kushtuese, Rama vërtetoi se ka vënë në kontroll të plotë Kuvendin

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka denoncuar ndryshimet e njëanshme kushtetuese të miratuara nga Rama, çka sipas tyre vërtetoi edhe njëherë se Rama ka vënë në kontroll të plotë institucionin që do të duhej të ishte mishërimi I demokracisë.

‘Me votimin e “ndryshimeve kushtetuese” në datën 30 korrik 2020, Edi Rama vërtetoi edhe një herë se ka vënë nën kontroll të plotë institucionin që do të duhej të ishte mishërim i demokracisë dhe sovranitetit popullor, Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e shumicës i binden pa ia kthyer fjalën, e shumë prej atyre të pakicës, një surrogatë e opozitës, po përdoren prej Ramës që të shtrojë rrugën drejt kapjes së fortë dhe afatgjatë të pushtetit, sipas shembujve të Gjukanoviçit, Thaçit e Vuçiçit. Ngjashmëria e disa metodave dhe synimeve të politikës së brendshme të Ramës me ato të Vuçiçit ka prodhuar në Shqipëri, sikurse në Serbi, një qeverisje pa opozitë. Tri dekada në Shqipëri nuk mjaftuan që pluralizmi programor e politk të shndërrohej në vlerë të mirëfilltë, por po rrëshkitet drejt autokracisë së konsoliduar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka mospajtime e kritika përmbajtësore e formale ndaj “ndryshimeve kushtetuese”. Listat e hapura, pjesërisht apo jo, nuk do të kenë asnjë efekt pozitiv nëse paraprakisht nuk shndërrohet e gjithë Shqipëria në një zonë, me një prag të arsyeshëm. Kështu siç po bëhen, listat e hapura do të jenë një mjet më shumë për të mashtruar votuesin. Hapja e listave po paraqitet si kërkesë popullore dhe si hap drejt demokratizimit, por kështu siç qëndrojnë punët me partitë e mëdha në Shqipëri, e siç po bëhen këto ndryshime, listat e hapura nuk do të kenë asnjë efekt demokratizues, as brenda partive e as jashtë tyre.

Brenda partive listat e hapura do të prodhojnë realitetin ku strukturat partiake do të vihen në funksion të dirigjimit të votës te persona të paracaktuar. Do të nisë fushata e brendshme, gara për vota brenda listës, e cila do të fitohet në masë të madhe prej personave që mbështeten prej grupeve të fuqishme mediatike e biznesore, apo prej personave me shumë ndikim në parti. Për pasojë, fenomenit të blerjes së votave jashtë partisë, tashmë do t’i shtohet edhe fenomeni i blerjes së votave brenda partisë. Servilizmi i kandidatëve ndaj personave me ndikime ekonomike e mediatike, e sidomos ndaj kryetarit të partisë do të jetë edhe më i madh. Parlamenti edhe më shumë mund të mbushet me milionerë, kryesisht injorantë të politikës, dhe do të forcohet edhe më shumë figura e kryetarit të partisë. Këto nuk janë parashikime në tym, por efekte të studiuara të hapjes së listave në shumë vende.

Shembulli i Kosovës dëshmon se listat e hapura për mbi një dekadë nuk kanë prodhuar demokratizim të partive, rritje të cilësisë së përfaqësimit në Kuvend dhe as zvogëlim të rolit të kryetarit, përkundrazi. I vetmi përjashtim është Lëvizja VETËVENDOSJE!, e ajo jo për shkak të listave të hapura, por për shkak se kishte programin, idealet, organizimin dhe udhëheqës që punuan, pasi Lëvizja hyri në Kuvendin e Kosovës, për të hartuar e miratuar një statut me mekanizma demokratikë të brendshëm, të cilët po zhvillohen me gjithë sfidat e shumta dhe sulmet ndaj Lëvizjes.

Jashtë partive, “ndryshimet kushtetuese” kështu siç u bënë, do të prodhojnë vështirësi edhe më të mëdha për subjektet e reja. Ruajtja e sistemit proporcional rajonal, sipas qarqeve, është e dëmshme në një vend të vogël si Shqipëria, dhe imponimi i pragut të dyfishtë, rajonal e kombëtar, i dyfishon pengesat për grupe shoqërore që kanë nevojë për përfaqësim jashtë partive të vjetra. Përveç kësaj, këto ndryshime nuk e prekën formulën “D’Hondt” për alokimin e mandateve, formulë e cila me këtë sistem favorizon partitë e vjetra kundër subjekteve të reja dhe favorizon partinë e parë duke diskriminuar gjithë votuesit e partive të tjera. Atyre që e mbrojnë këtë formulë me argumentin se ajo “prodhon stabilitet”, u themi se qytetarët janë ngopur me “stabilitete” të tilla që prodhojnë despotë. Stabiliteti i sundimit mbi padrejtësi e varfëri nuk i duhet vendit. Stabiliteti që sjell zhvillim, drejtësi e demokraci, është ai për të cilin kemi nevojë si popull.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri e denoncon lojën e pafytyrë që po bëhet me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, e cila synon ta blindojë në një pushtet autokratik Edi Ramën për të pamundësuar ndryshimin.

Megjithatë, dija dhe përvoja na tregojnë se zullumi këputet kur trashet. Sa më të vështirë ta bëjnë ndryshimin, aq më të domosdoshme do të na e bëjnë punën organizative dhe vetëdijësimin krah për krah me qytetarët.

Tiranë, 31 korrik 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme