Veton Surroi: Hashim Thaçi do të gjykohet nga Gjykata Speciale!

 

Sakte.net / e Dielë – 02 Tetor 2016 –  15:42

Publicisti Veton Surroi presidentin Hashim Thaçi, e ka quajtur të padijshëm e primitiv dhe ka parashikuar arrestimin e tij nga Gjykata Speciale nëse aktakuza bazohen në të gjeturat e Prokurorit Williamson.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka folur edhe për UÇK-në, duke thënë se disa prej udhëheqësve të luftës kishin kapur armët kundër Serbisë aq sa edhe kundër LDK-së. Ka gjykuar votuesit e PDK-së, duke thënë se 200 mijë njerëz pajtohen se krimi është i pranueshëm. Ka rikthyer tregime historike të kohës së Ramboullet, duke treguar për puçin e Sylejman Selimit.Image result for veton surroi

Surroi e ka quajtur Hashim Thaçin Kryeministër të padijshëm e primitiv. Isa Mustafën e ka cilësuar si shpërfillës.

Sipas tij, po të kishte konsensus të brendshëm, Kosova do të pranohej edhe në OKB. Veç se nuk ka treguar se si do të bëhej ky hap i madh i Shtetit drejt OKB’së marrë parasysh qëndrimin e Rusisë.

Mirëpo, Surroi ka folur fjalë të mira për opozitën e Ramush Haradinajt, Albin Kurtit e Famir Limajt. Ka thënë se opozita ishte mbresëlënëse për luftën që bëri në kundërshtim të Asociacionit e Demarkacionit.

“Dhe mu për këtë del të jetë shumë i nevojshëm konsensusi. Një Kryeministër i padijshëm dhe primitiv si Thaçi mund të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, por konsensusi do ta ruante edhe atë, e më me rëndësi, Kosovën nga pasojat e mosdijes e primitivizmit të tij. Një Kryeministër shpërfillës si Mustafa mund të nënshkruante diçka që konsideron vazhdimësi e Marrëveshjes së Thaçit, por konsensusi do ta ruante edhe atë, e më me rëndësi Kosovën nga pasojat e shpërfilljes”, ka thënë Surroi, në gazetën, në të cilën është themelues.

Surroi, i cili para luftës kërkonte pjesëmarrje në zgjedhjet e Jugosllavisë dhe kundërshtonte politikën e LDK’së dhe te Rugovës, është marrë edhe me raportet e Presidentit aktual me Presidentin historik të Kosovës. Ka thënë se Rugova krijonte konsensusin pavarësisht se Thaçi e kishte quajtur kriminel.

“Hashim Thaçi disa herë e ofendoi shumë rëndë dr. Rugovën duke e quajtur kriminel, e shtëpinë e tij shtëpi të krimit, por Rugova vazhdoi ta përfshinte në “Ekipin e Unitetit” më bindjen se në fund duhet të fitojë konsensusi”, ka shtuar ai.

Surroi ka folur edhe për UÇK’në. Konkretisht për dy ish-Komandantët e përgjithshëm të saj, Azem Sylën e Sylejman Selimin si dhe Sami Lushtakun. Ka treguar detaje, që sipas tij, tregojnë kriminalitetin e tyre edhe në kohë lufte.

“Pas një gjykimi të gjatë në burg u dërgua Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, gjatë Rambouille’t na u tha shkurtimisht se kishte bërë puç dhe ishte bërë Komandant i UÇK’së”, ka treguar Surroi në intervistë.

“Para nisjes në Rambouillet kishim një situatë të veshtire poltiike. Animoziteti i disa prej drejtuesve të UÇK’së ndaj Rugovës dhe LDK’së ishte shumë i madhe. Disa prej tyre konsideronin se kishin marrë armët sa kundër Serbisë, aq edhe kundër Rugovës”, ka deklaruar Surroi.

Në këtë intervistë, Surroi është marrë, po ashtu, edhe me votuesit e PDK’së. Ka thënë se 200 mijë njerëz në Kosovë pajtohen se krimi është i pranueshëm.

“Janë së paku 200 mijë njerëz që deri më tani kanë pranuar me votën e tyre s ekrimi është një veprim i pranueshëm në jetën politike”, ka deklaruar Surroi.

Thaçi do të gjykohet nga Specialja

Veton Surroi, i cili kishte pasur raporte të mira me PDK’në dhe Hashim Thaçin edhe në kohën e pasluftës, ka parashikuar një përfundim të keq për Presidentin e Kosovës. Ka thënë se bazuar në gjetjet e Prokurorit Ëilliamson, Thaçi do të përballet me akuza nga Gjykata Speciale.

“Nëse Gjykata vepron sipas verifikimit të bërë nga Prokurori i Veçantë Williamson, atëherë ka mbështetje të madhe supozimi se i arrestuar nga Gjykata mund të jetë edhe Kryetari i tanishëm i Kosovës, Thaçi”, ka parashikuar Surroi.