Vizat, vështirë të hiqen edhe vitin tjetër

E mërkurë, 26 Tetor 2016 –  Sakte.net

Ramadan Ilazi thotë se vendimi për heqjen e vizave nuk mund të merret pa e miratuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Sipas tij, sivjet ka ikur mundësia e përfitimit të heqjes së vizave, përderisa vitin tjetër situata komplikohet edhe më shumë për shkak të zgjedhjeve në disa shtete të BE-së

Ramadan Ilazi, i cili së fundmi ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendësministrit të Integrimeve Evropiane, shprehet i bindur që sivjet ka qenë e mundur t’i hiqen vizat Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mosplotësimit të dy kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian, përkatësisht ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe luftimi i korrupsionit.

Kështu ka deklaruar Ilazi gjatë një interviste për “Zërin”, duke shtuar se procesi i liberalizimit të vizave mund të vështirësohet edhe më shumë vitin tjetër, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve në disa shtete të Bashkimit Evropian.

Ilazi ka bërë të ditur se tash e tutje do të jetë këshilltar i jashtëm i kryeparlamentarit Kadri Veselit, si dhe do t’i fillojë studimet e doktoratës. /Zëri/