Vizitat e tri delegacioneve të superfuqive në Kosovë: Haradinaj lëshon “pe” për taksën

Vetëm për pak ditë, zyrtarë të tri superfuqive botërore vizituan Kosovën. Arsyeja e këtyre vizitave, natyrisht se mbetet taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Zyrtarë nga SHBA-të, Gjermania e Britania e Madhe zbarkuan në Kosovë me kërkesën e vetme: Pezullimin e taksës dhe hapjen e rrugës së dialogut Kosovë- Serbi, shkruan Gazeta Blic.

Javën e kaluar Kosovën e vizitoi një delegacion amerikan kurse, këtë javë në vend ‘ateruan’ edhe dy delegacionet tjera, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Mirëpo, edhe përkundër këtyre vizitave, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është lëkundur nga qëndrimi i tij. Taksa po qëndron.

Por kështu nuk po mendojnë analistët politik të vendit. Thonë se Haradinaj megjithatë, është lëkundur nga qëndrimi i tij për taksën.

Analisti politik dhe drejtori i Organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, duke komentuar vizitat e këtyre delegacioneve, tha për Gazetën Blic se ato nuk janë asgjë tjetër veçse shtim i presionit ndaj Kosovës për çështjen e taksës 100%.

“Vizitat fillimisht po shihen që janë një masë e shtuar e faktorit ndërkombëtarë karshi Kosovës, karshi qeverisë, për me ndiku të paktën, për me e gjetë një zgjidhje sa i përket taksës. Kjo tregon që është intensifiku presioni ndërkombëtar për shkak se brenda një jave kemi pasur vizitat e tri shteteve më të fuqishme e që konsiderohen edhe si vendet më mike për Kosovën që janë SHBA, Gjermani dhe Britania. Kjo është një shtim i presionit” tha Demhasaj.

Sipas tij, Haradinaj ka filluar veçse të zbutë qëndrimin e tij karshi kësaj çështjeje, pasi, siçu shpreh ai, i pari i ekzekutivit nuk është duke kërkuar më njohjen e shtetësisë nga Serbia por një dokument i cili siguron njohjen në fund të bisedimeve.

“Me shtimin e vizitave të tilla besoj që në ndërkohë mund t’i jepet një zgjidhje kësaj çështje sepse tashmë kemi parë që kryeministri Haradinaj nuk po kërkon që taksa të hiqet vetëm në momentin kur e njeh Serbia Kosovën, por në momentin kur është një dokument që në një mënyrë e siguron që në përfundimin e dialogut, a një marrëveshje finale ligjërisht obliguese, mund të pasohet me njohjen e Kosovës nga Serbia edhe mund të pezullohet taksa. Kanë fillu në një mënyrë me u kanalizu edhe qëndrimet edhe kërkesat kështuqë në ditët e ardshme mund të presim që edhe mund ti jepet një zgjidhje çështjes së taksës”, përfundoi ai.

Por për analistin tjetër, Nexhmedin Spahiun çështja e taksës 100% po shihet si një lojë e kryeministrit Haradinaj. Konsideroi se Haradinaj përveç që ka ndërmarrë një rrezik për veten, ai me këtë rast, ka marrë rrezik edhe për vendin që drejton.

“Mendoj që Haradinaj në një mënyrë shtrenjtë e ka shitur lëkurën për dallim prej politikanëve të tjerë karshi dialogut me Serbinë. Nuk do të thosha që akoma e ka shitë. Njëherë për njëherë ai është duke e mabjtur akoma në duar atë, dhe them të drejtën kjo është një lojë shumë diskante. Natyrisht që loja politike është një lojë qoftë për një individ, qoftë për një vend të caktuar dhe ai, ka marrë një rrezik si për veten po ashtu edhe për vendin që drejton. Në këtë rast për pushtetin që e drejton”, tha Spahiu për Gazetën Blic.

Tutje, Spahiu tha se nga e gjithë kjo situatë mbetet të shihet nëse Haradinaj do të bëj zbrapsje taktike. Shtoi se nëse “ai arrin që ta qoj deri në fund lojën, sigurisht që ky do të ishte një sukses i tij brilant.”

Ndryshe, delegacionet e superfuqive botërore përveç Haradinajt, kanë takuar edhe zyrtarë tjerë të vendit. Madje, pas takimit të djeshëm që zyrtari britanik, Richard Moore kishte me Ekipin Negociator u tha se është kërkuar pezullimi i taksës 100% për t’i hapur rrugë dialogut Kosovë- Serbi.

Presion për pezullim të taksës që nga ngritja e saj në 100% dhe kundërshtia e Serbisë se nuk do të hyjë në dialog pa u pezulluar ajo, ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian e liderë të ndryshëm ndërkombëtarë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme