Vjosa Osmani: LDK paska thirr takim për formimin e Qeverisë

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në takimin e thirrur nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti, për të diskutuar rreth situatës me pandeminë Covid-19.

Pas takimit, Osmani ka bërë një prononcim para gazetarëve ku ka bërë të ditur se ka dëgjuar që sot është organizuar një takim nga Lidhja Demokratike e Kosovës ku do të merren vendime se si të procedohet me hapat e mëtejmë për formimin e Qeverisë së re, njofton Klan Kosova.

“Jam tërësisht e painformuar, sapo dëgjova se qenka edhe një takim tjetër sot lidhur me këto përpjekje në të cilin unë nuk jam ftuar, por kjo nuk është një gjë e re. Nuk kam diskutuar me askënd dhe askush s’ka diskutuar me mua për këtë temë. Dëgjova që sot qenka një takim ku do të merren disa vendime rreth hapave të mëtejmë tash e tutje, por nuk jam ftuar në një takim të tillë””, theksoi nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.