“Vogue” intervistë me Era Istrefin, e krahason me Rihannan

Revista e njohur ndërkombëtare ka realizuar një intervistë të zgjeruar me këngëtaren kosovare e cila po bën bujë nëpër botë me hitin e saj “Bon Bon”. 22 vjeçarja Era Istrefi e cila ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e fuqishme Sony Music Entertainment dhe Ultra Music, në këtë intervistë flet për fillimet e saj në karrierë, pasionin ndaj muzikës dhe planet për të ardhmen. KultPlus sjell thekset kryesore nga kjo intervistë.

Këngëtarja kosovare Era Istrefi po bën senzacion me hitin e saj në botë. Ajo tashmë ka shpërthyer kufijtë e Kosovës dhe karriera e saj po merr një dimension të ri.

22 vjeçarja e talentuar nga Prishtina po dëgjohet në mbarë botën ndërsa ka zgjuar interesimin e medieve ndërkombëtare që të shkruajnë për të. Një intervistë të zgjeruar ka realizuar së fundi revista e njohur “Vogue”, e cila thekson se hiti i ndërkombëtar “Bonbon”, që ka arritur në më shumë se 133 milionë shikime në YouTube, e ka bërë Istrefin një nga yjet e Evropës lindore të vitit të kaluar.
Era gjatë kësaj interviste shprehet për fillimet e saj në karrierë, pasionin ndaj muzikës dhe shpalos planet për të ardhmen. Zëri i saj krahasohet me atë të yllit Rihanna.

Istrefi tashmë gjendet në Los Angjelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e fuqishme Sony Music Entertainment dhe Ultra Music për përfaqësim në SH.B.A. Në intervistë ajo thotë se i pëlqen shumë qyteti para së gjithash koha në Los Angeles ku bën të ditur se gjendet për herë të parë, pastaj shpreh admirim për qetësinë në këtë qytet për dallim prej Nju Jorkut, të cilin e ka vizituar më pare,

E pyetur për mendimin e saj rreth muzikës, këngëtarja kosovare thekson se muzika po ndryshon për një kohë të shkurtër dhe se sipas saj duhet të kapet rrjedha e kohës dhe të rrëmbehet vëmendja e njerëzve. Ajo sqaron se ka nisur të merret me muzikë para 10 vjetësh dhe fillimisht ka kënduar vetëm për vete sa për të bërë qejf derisa në moshën 19 vjeçare ka realizuar këngën e saj të parë “Mani Per Money”. Era përshkruan momentin kur ka nisur të pëlqehet nga fansat ndërkombëtarë me hitin e saj “Bon Bon”.

“Unë e kam parë ndjekësit e mi që janë rritur në mënyrë të shpejtë brenda natës, sikur mijëra për minutë. Unë kam menduar se “Çfarë po ndodh? A jam unë duke u hakuar në internet? “Unë nuk kisha asnjë ide. Pastaj kam parë disa mesazhe të çmendura të postuara për mua se si e duan këngën “Bonbon” dhe se sa e mirë i është dukur realizimi i videos. Kjo më bëri të kërcejë në shtratin tim dhe të them “Uhaa, çfarë dreqin po ndodh? A është kjo e vërtetë? “Ishte një moment shumë tronditës dhe i bukur në jetën time. Betohem, se ishte një mrekulli”, ka theksuar Istrefi në këtë intervistë.

Ajo ka thënë se interesimi i saj është të bëjë muzikë jo vetëm për shqiptarë por dëshiron të tërheq gjithnjë e më shumë fansa në mbarë botën, duke theksuar se të gjithë janë një dhe nuk e ndjen vetën të ndarë nga bota. E pyetur për krahasimin që ia bëjnë me Rihannan, Era ka thënë se ndjehet shumë krenare që njerëzit e krahasojnë me të, por prapë se prapë mendon se ka dimensione të tjera në zërin e saj që e bën të veçantë.

Era Istrefi thotë se është duke punuar për këngë të reja.
“Qëllimi im afatshkurtër është që të bëjë shumë muzikë dhe që fansat të zgjedhin atë që është më e mira. Sfida rritet dhe është më e madhe për mua çdo ditë. Por unë jam duke u përpjekur për tu zgjeruar sa më shumë të jetë e mundur, madje edhe me muzikë anglisht. Jam mësuar me gjëra të reja çdo ditë. Nuk jam duke thënë se kjo do të marrë shumë kohë, por do të marrë disa kohë për mua”.

Këngëtarja 22 vjeçare nga Kosova përmbyll intervistën për revistën Vogue me komentin se ajo që e bën krenare është këmbëngulja e cila i garanton sukses.

“Pa marrë parasysh se sa i vogël apo i madh është qëllimi. Këmbëngulja është çelësi i suksesit për mua”, ka përfunduar Era Istrefi.