Votojnë deputetët që e përkrahin Kurtin, ‘heshtin’ të dorëhequrit

Lëvizja Vetëvendosje është duke mbajtur sot zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë Këto zgjedhje vijnë pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm, Visar Ymerit. Përveç Albin Kurtit askush tjetër nuk ka kandiduar për të marrë kreun e partisë, momentalisht më të madhes në vend. Mirëpo në këto zgjedhje sipas deklarimeve dhe postimeve në rrjetet sociale nuk janë duke marrë pjesë të dorëhequrit nga partia dhe ata që nuk janë në anën e Albin Kurtit. Deputeti Liburn Aliu, njëri nga mbështetësit më të vjetër të Kurtit, së bashku me familjen e Astrit Deharit, kanë votuar në zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes. “Së bashku me dy veprimtarë të shquar, Xhemile e Avni Dehari, prindër të Arbënor e Astrit Deharit, me Artën e Arsën, gruan e vajzën e Astritit, dolëm dhe dhamë votën tonë për të ardhmen e Lëvizjes”, ka shkruar deputeti Aliu në “Facebook”. Edhe deputetja Fitore Pacolli që mblodhi nënshkrimet për kandidimin e Kurtit, ka postuar një fotografi gjatë votimit. Deputetja tjetër që mblodhi nënshkrimet për kandidimin e Kurtit, Albulena Haxhiu thotë se nga Albin Kurti presin që ta rrisë organizatën. “Sapo votova për aktivistin e politikanin i cili shquhet për artikulimin e ideve tona të përbashkëta. Nga Albini presim forcim, zgjerim dhe rritje të reja për organizatën tonë”, ka shkruar deputetja Haxhiu. Deputeti tjetër i Vetëvendosjes nga Prizreni, Arbër Rexhaj ka postuar një fotografi në “Facebook” ku ka njoftuar se e ka kryer ‘detyrën’ e tij. “Votova duke vendosur për të ardhmen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Na prift e mbara!”, ka shkruar deputeti Rexhaj. Ndërsa ish kryetari, Visar Ymeri nuk është parë deri më tani që ka votuar. Ai nuk ka qenë aktiv as në profilin e tij në “Facebook”. As kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka shkruar në “Facebook” as nuk është parë që ka votuar deri më tani. Ai ende është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe ish-sekretari, Dardan Molliqaj është duke qëndruar në heshtje, ani pse ende zyrtarisht është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk është lajmëruar dhe nuk ka njoftuar nëse ka votuar për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar sot në orën 10:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00./kallxo.com