Vrasja e Ivanoviqit ngjallë frikë në Kosovë, Serbia do ta shfrytëzojë për destabilizim

Vrasja e liderit të partisë serbe Liria Demokracia Drejtësia, Oliver Ivanoviq e cila ndodhi të martën në mëngjes në veri të Mitrovicës, ka ngjallë frikën se Serbia mund ta përdorë këtë rast për të destabilizuar vendin.

Reagime nga zyrtarë të Serbisë pas vrasjes së Ivanoviqit kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra.

Pala serbe pas kësaj ngjarje ka ndërprerë dialogun e nivelit teknikë i cili sot ishte paraparë të vazhdojë në Bruksel. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq pas këtij rasti ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke kërkuar që në hetim të këtij rasti të përfshihet edhe shteti i Serbisë.

Ai duke folur për këtë rast  ka thënë se ka detaje interesante që tregojnë se kush e ka kryer sulmin

“Nuk dua të spekuloj për kryerësit dhe nuk dua të flas për ato që i dimë dhe që i kemi. Nuk dua të spekuloj, por ka detaje interesante që tregojnë për vrasësit e mundshëm”, ka thënë Vuçiqin.

Ndërsa,Drejtori i Zyrës për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriq, e ka quajtur akt terrorist

“Ky ishte një akt kriminal dhe terrorist që duhet dhe do të ndëshkohet”, ka thënë Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Vrasja e Ivanoviqit është dënuar nga institucionet shtetërore të Kosovës, ku është kërkuar që ky rast të zbardhet sa më shpejtë.

Por, ky rast në Kosovës shihet edhe si mundësi që Serbia ta shfrytëzojë për ta destabilizuar vendin dhe të pengojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Një shqetësim të tillë e ka ngritur ish-ministri i Jashtëm, tani zëvendëskryeministër, Enevr Hoxhaj.

“Përderisa motivet dhe autorët e vrasjes janë ende të panjohur, është brengosëse të shohim reagime kaq impulsive dhe destruktive nga ana e autoriteteve në Serbi, të cilët haptas po kërcënojnë me destabilizim të situatës, prishje të procesit të normalizimit”, ka shkruar Hoxhaj në reagimin e tij.

Një frikë të ngjashme e kanë shprehur edhe analistët politikë në vend.

Analisti dhe profesori universitar Milazim Krasniqi ka thënë se vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq është një skenar, sipas tij i tmerrshëm për ndarjen e veriut të Mitrovicës.

Ai ka thënë se nëse NATO nuk reagon shpejt ku skenar mund të përparojë.

“Skenari i tmerrshëm dhe okult për ndarjen e veriut dhe trazirat e reja si duket filloi me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Nëse NATO nuk reagon shpejt e fuqishëm, skenari mund te përparojë shpejt. Armiqtë e shtetit te Kosovës janë ne aksion”, ka shkruar Krasniqi.

Përpjeke për destabilizim e ka vlerësuar vrasjen e Ivanoviqit edhe analisti Imer Mushkolaj.

Të tillë vrasjen e politikanit serb e ka parë edhe gazetari Adriatik Kelmendi.

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit ne veri flet qarte për qellim destabilizimi .Edhe në Prishtinë po shohim përpjekje të grupeve te organizuara (para)politike për destabilizim. Perëndimi kurrë me shumë nuk na ka tërheqë veshin. E dikush ne Veri me partnerin e vet ne Lindje po i ferkon duart”, ka shkruar Kelmendi.

Oliver Ivanoviq është vrarës sot në pak pas orës 8 të mëngjesit. Ai është sulmuar me armë zjarri afër zyrës së partisë së tij, në veri të Mitrovicës, ndërsa ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Policia me anë të një komunikate për media ka thënë se është duke hetuar rastin dhe se deri më tani nuk ka të dyshuar.

Si provë është gjetur dhe konfiskuar një veturë e djegur nga e cila dyshohet se është sulmuar Ivanoviq.

Vrasjen e tij e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovës, Greg Delaëie dhe Bashkimi Evropian./Lajmi.net/