Vrasjet gjatë vitit 2016, fenomen në rritje

11:40, 3 Shtator 2016   Sakte.net

Vrasjet në Kosovë po shndërrohen në një fenomen në rritje. Gjatë këtij viti, sipas statistikave zyrtare, janë shënuar 23 vrasje.

Për të njëjtën periudhë, vitin e kaluar ishin shënuar 11 vrasje. Këto të dhëna, sipas autoriteteve të rendit, dëshmojnë se numri i vrasjeve nga viti në vit është në rritje.

Ndërsa, gjatë pasluftës, ku përfshihen periudha nga qershori i vitit 1999 e deri më 2014, statistikat e Policisë së Kosovës flasin për rreth 1500 vrasje me motive të ndryshme.

Si një fenomen në rritje dhe mjaft shqetësues, vrasjet në Kosovë janë temë e rubrikës së përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë.

Nisur nga statistikat dhe rastet e fundit të vrasjeve, ish-deputeti Burim Ramadani, njohës i fushës së sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë tre faktorë themelorë që kanë ndikuar në trendin e rritjes së vrasjeve dhe përkeqësimit të sigurisë publike.

“Prania e madhe e armëve ilegale në duart e qytetarëve, në njërën anë, dhe mungesa e një programi gjithëpërfshirës politik e shoqëror të qeverisë për të larguar ndjenjën dhe kërkesën e qytetarëve për armët ilegale, përbën një prej elementeve”.

Gjithashtu, neglizhenca e institucioneve të sigurisë, atyre të hetuesisë dhe të drejtësisë, si dhe e treta, mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin politik në Kosovë, e sidomos në atë të drejtësisë. Ekziston edhe më tutje ndjenja te qytetarët që më lehtë mund t’i qërojnë hesapet personalisht, sesa të shkojnë përmes institucioneve të drejtësisë”, thotë Ramadani.