Vuçiq flet për takimet me Thaçin, thotë se një marrëveshje paqësore do të shkruhej në histori

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka cilësuar si “shumë të vështira” momente kur takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Vuçiq ka deklaruar se edhe Thaçi është normale që lufton për të mirën e popullit të tij.

Sipas presidentit serb, nëse arrihet një marrëveshje e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ishte një e arritur e madhe, transmeton lajmi.net

“Nuk jam takuar me Haradinaj asnjëherë. Kam takuar Thaçin me qindra herë, dhe bisedat tona nuk janë kurrë të lehta. Gjithkush lufton për interesat e popullit të tij, dhe diskutimet janë tmerrësisht të vëshitra. As ata nuk gëzohen kur më shohin. Detyra jonë është që të përpiqemi të përfundojmë një marrëveshje, ta zgjidhim konfliktin historik në mënyrë paqësore, kjo do të ishte arritja më e madhe”, ka thënë presidenti esrb.

Por Vuçiq është shprehur në dilema sa i përket mënyrës se si do ta pranonin një marrëveshje të tillë qytetarët nga të dyja shtetet.

“Nuk jam i sigurt se si do ta pranojë opinioni shqiptar, as nuk jam i sigurt se si do ta pranojnë serbët. Unë e di se çfarë mendojnë njerëzit nga të dyja anët. Ne do të përpiqemi të ndryshojmë në vitin 2018. Nëse arrihet një marrëeshje kjo do të ishte trashëgimia më e madhe politike për mua, dhe do të isha shumë krenar”, deklaroi Vuçiq.

“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të arrijmë marrëveshje. Serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të populluara në Ballkanin Perëndimor”, përfundon presidenti i Serbisë.

Ndryshe, tash e disa kohë në Serbi ka nisur një dialog i brendshëm për Kosovën.

Viti 2018 është cilësuar si faza e përmbylljes së dialogut, për çka në Kosovë është kërkuar disa herë unitet politik. /Lajmi.net/