Vuçiq: Hyrja jonë në BE varet nga zgjidhja e çështjes së kufirit me Kosovën

“Qëllimi i qartë i autoriteteve të Prishtinës është që të hyjnë në veri, sepse kështu hiqen të gjitha arsyet për bisedime me Beogradin”, ka thënë mbrëmë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ka porositur që Serbia, si shtet, do të gjejë mënyrën që të merret me kërkesat që vijnë nga veriu i Kosovës, të merret me krimin dhe korrupsionin.

“E shoh se është në trend që të flitet për krimin dhe korrupsionin në veri të Kosovës, ku natyrisht se nuk është një gjendje e mirë, sepse Serbia s’ka pushtet efektiv atje”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin serb “Happy”, transmeton Koha.net.

Në mënyrë ironike, ai tha se “drejtësia e demokracia, në anën tjetër, lulëzojnë në Prishtinë, Pejë e në qytete tjera”.

Duke folur për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Vuçiqi ka vlerësuar se kjo është një goditje direkte ndaj Serbisë, që vendos pasiguri të përhershme mes serbëve në Kosovë dhe krijon ndasi në Serbi.

I pyetur në lidhje me rolin e Millan Radojçiqit në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se ai person do të arrestohet nëse është vrasës, por për këtë duhet të dalin dëshmi, sepse nuk mund të vihet në përfundim “vetëm në shkrimet e gazetave”.

“Prishtina ka pushtet efektiv dhe kryen hetime, andaj le të thonë se kush e vrau Ivanoviqin. Kjo është çështja kyçe”, tha ai, transmeton Koha.net.

Për presidentin serb nuk është fare me rëndësi se kush e vrau Ivanoviqin dhe i cilit nacionalitet është pasi që, sipas tij, “kushdo që e ka bërë këtë është njeri i keq dhe do të përgjigjet”.

Për qëndrimin e tij në Kosovë gjatë të shtunës, Vuçiq tha të ketë dëgjuar hallet e serbëve. Ai thekson se “e gjithë Serbia e ka pasur mundësinë të shohë se sa rëndë jetojnë serbët në Kosovë, nën çfarë presionesh dhe në çfarë rrethanash”.

“Duhet të jemi të përgjegjshëm, seriozë, të qetë e tolerantë, të punojmë më shumë”, tha ai, ndërsa shtoi se në këtë aspekt duhet të marrim shembull shqiptarët “duhet parë shqiptarët”.

“Lehtë e kanë disa në Beograd të bërtasin se janë patriotë të mëdhenj dhe të mbajnë tubime në ‘Terazi’ [sqarim yni: shesh në Beograd], e në Kosovë s’kanë qenë kurrë, e as që e dinë se si jeton populli jonë atje”, tha Vuçiq.

“Nga konflikti me shqiptarët Serbia s’përfiton gjë, as fat”, porositi Vuçiq, dhe sqaroi se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme me Prishtinën nënkupton se e “kemi të zgjidhur çështjen e kufirit”.

“Bashkimi Evropian nuk do të lejojë hyrjen e Serbisë pa zgjidhjen e çështjes së kufirit, dhe populli natyrisht se do ta thotë mendimin e tij përmes ndonjë referendumi”, tha presidenti serb, dhe shtoi se qëndrimin e tij do ta bëjë publik brenda më së largu 3 muajve.

Vuçiq tha se zyrtarët nga qeveri të kaluara në Serbi e sulmojnë politikën e Qeverisë aktuale ndaj Kosovës, sepse dëshirojnë “që të përfitojnë para në sfera të ndryshme të jetës shoqërore” dhe këtë e bëjnë sipas “urdhërit të tajfunit suprem” që “të kenë më shumë para e të jenë edhe më të pasur”.

Vuçiq mendon se opozita në Serbi shpreson që ai të kryejë punë me Kosovën dhe më pas t’ia “heqin kokën”.