VV: Sikurse “Zajednica”, edhe demarkacioni do të bëhet projekt i vdekur

Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar gushtin e vitit të kaluar kur sipas saj, Kosovës i kanosej themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo sic e quan ajo “Zajednica”.

VV përmes një postimi në Facebook ka thënë se sot një vit pas nnënshkrimit të marrëveshjes, Zajednica e demarkacioni janë ndaluar dhe se këto marrëveshje vazhdojnë të jenë të parealizueshme.

Sipas VV-së, sikurse ka ndodhur me Zajednicës që është projekt i vdekur, ashtu do të bëhet edhe me marrëveshjen për demarkacion.

Lexoni postimin e plotë të VV-së:

Një vit pas nënshkrimit – “Zajednica” e demarkacioni janë ndalur

Në fundin e gushtit të vitit të kaluar, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, Kosovës ia kurdisën Kosovës dy dëme shumë të mëdha; marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës” dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, që parasheh humbje të territorit të Kosovës. Qeveria kishte në plan që t’i bënte fakt të kryer këto marrëveshje deri në dhjetor të vitit të shkuar por ato as sot nuk janë realizuar. Ato janë të parealizueshme.

Sot një vit, Kosovës i kanosej themelimi i Zajednicës. Por një vit më vonë, pamundësimi i themelimit të saj është dëshmuar si triumf i organizimit dhe vendosmërisë qytetare. Nënshkrimit të Isa Mustafës iu kundërvunë 205 mijë nënshkrime të qytetarëve të Republikës. Të gjithë ata, nënshkruan edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të nëshkruar në Vjenë nga Hashim Thaçi. Dhjetëra protesta e qindra arrestime bënë që qeveria të dorëzohet. Atë që Mustafa dhe Thaçi e kishin parashikuar si fat për Kosovën, qytetarët e saj e ndalën sepse e cilësuan si fatkeqësi për vendin dhe të ardhmen e secilit. Ato që planifikonte t’i realizonte për dy – tre muaj, Qeveria nuk arriti t’i përfundojë as për 12 muaj.

Pavarësisht se nënshkruesit duan ta kthejnë e ta ngjallin këtë projekt, “Zajednica” është projekt i vdekur falë kundërshtimit qytetar. E njëjta do të ndodhë edhe me marrëveshjen për demarkacionin. Më 1 shtator përgjigjia për demarkacion jepet në shesh. Aty tregohet vullneti dhe fitorja do të jetë e qytetarëve.