Xhavit Haliti komenton kërkesën e Thaçit drejt PAN’it

Dy javë pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga koalicioni PAN që të propozojnë një kandidat të ri për kryeministër, mirëpo diçka që e kundërshtojë Kadri Veseli.


Në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Kadri Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Lidhur me letrën e presidentit Thaçi drejtuar koalicionit PAN është deklaruar nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

Për Telegrafin, ai ka thënë se është përgjegjësi e presidentit të kërkojë nga koalicioni PAN një mandatar të ri.

“Kjo është e drejtë kushtetuese dhe obligim kushtetues ta bëjë zotëri Thaçi si presidenti i vendit, sepse Qeverinë nuk e ka rrëzuar Parlamenti, prandaj Thaçi është i obliguar ta kërkojë një mandatar të ri nga koalicioni PAN. Tash varet a i kanë votat e mjaftueshme si koalicion PAN, ose mandatari i ri do të ketë fuqi që të i bëjë 61 vota. Nëse i bënë 61 vota në Parlament atëherë ekziston mundësia të krijohet një Qeveri e re, po ashtu edhe kryeministri mund ta emërojë ndonjë kandidaturë”, ka thënë Haliti.

Tutje ai ka thënë se nëse dështon të formohet qeveria e re, atëherë në afatin e paraparë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës duhet të shpallen zgjedhjet e reja.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme