Xhevdet Pozhari për Koha Ditore: Kosova ka nevojë për miq!

Gazetari dhe kryeredaktori i portalit Sakte.net, Xhevdet T. Pozhari në një intervistë dhënë gazetës Koha Ditore është përgjigjur lidhur me zhvillimet e fundit në raportet ndërshtetërore Kosovë – Turqi, pas deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Në vijim mund ta ndiqni intervistën e plotë

Koha Ditore -Çfarë treguesi përbën për Kosovën fakti që ajo, ndryshe nga vendet e Perëndimit, ka dorëzuar në Turqi shtetas të përndjekur nga Ankaraja zyrtare? Rrjedhimisht, si i përgjigjeni kritikëve që konsiderojnë se, me këtë veprim, Kosova është rreshtuar në krah të pushtetit të presidentit Erdogan?

Xhevdet Pozhari: Është vështirë të vlerësosh se çfarë ka ndodhur saktë me dëbimin, apo deportimit e 6 shtetasve turq nga Kosova – ngjarje kjo që ngjalli reagime nga më të ndryshme të nxitura në masë të madhe edhe nga deklarimet e pamatura të burrështetasve tanë – sepse nuk kemi asnjë shpjegim nga ata që duhej të na shpalosin se çfarë ka ndodhur – institucionet e shtetit, të cilat duhej edhe ta parapengonin këtë zhurmë e cila ka të bëjë me një shtet më miqësor të shqiptarisë – Turqinë! Dhe shihet qartë se kësaj zhurme i paraprijnë zhurmaxhinjtë kujdestarë të cilët ‘biznes’ të vetin fitimprurës e kanë antiturqizmin dhe antiislamizmin, ata që e dinë se çka i mungon demokracisë turke dhe botës islame, por kurrë nuk i shqetësoi dëbimi i shumë shqiptarëve në Maqedoni si dhe të cilëve thuajse fare nuk u pengon ‘deportimi’ masiv që i ndodh shqiptarisë – ikja e rinisë nga Kosova dhe deshqiptarizimi i sigurt i asaj rinie. Që të jem më i qartë: ngjarja e fundit me deportimin e shtetasve turq shpalos diçka shumë të dhembshme për ne që jetojmë në Kosove: se ne nuk ndërtuam institucione shtetërore që do u shërbejnë e do u përgjigjen qytetarëve, por do jenë në shërbim dhe do i mbulojnë punët e pista të pushtetarëve. Pse ky rast e shpalos këtë të vërtet? Sepse sikur të ishte ndryshe këta burrështetas nuk do lejonin këtë përçarje mes popullit, por do dilini e do shpjegonin se çka ka ndodhur. Si dhe nuk do lejonin këtë zhurmë histerike kundër burrështetas të një shtet mik siç është Turqia.

Koha Ditore -A është profili i presidentit Erdogan ai që përshkruhet në masë nga kosovarët dhe pse së fundmi ka një retorikë më të ashpër në raport me Turqinë?

Xhevdet Pozhari: Me profilin e presidentit të Turqisë do duhet të merren ata që e votojnë atë. Ne duhet të merremi me profilin e burrështetasve tanë. Por shihet qartë se ka qarqe shqiptare që tërë patriotizmi e vet e ushqejnë sipas mendësisë serbe: duke e ushqyer me urrejtjen nda të tjerëve dhe nga paragjykimet ndaj të tjerëve. Kosova, si shtet në konsolidim e sipër, në rrethanat në të cilat ndodhet, më së paku i duhen armiqtë, e shumë më tepër miqtë! Është për t’u befasuar fakti se në disa media të Kosovës, raportimet për zhvillimet në Turqi janë me tone aq të thella anti turke, të cilat rrallëherë mund t’i hasësh në media të tjera, madje as në ato që janë haptazi kundërshtare të shtetit të Turqisë. Kjo domosdoshmërish që krijon reagime dhe diskutime në masën e gjerë. Mirëpo, nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se nëse ia duam të mirën shqiptarisë duhet vetëm një gjë ta kemi parasysh: nuk duhet me asnjë kusht të lejojmë përçarjen brendashqiptare, të nxitur nga kushdoqoftë, e në këtë rast nga qarqet anti-turke, rrjedhimisht edhe anti – islame.

Koha Ditore -Çfarë paraqet Turqia për Kosovën dhe, zhvillimet që rrodhën pas dëbimit të “gylenistëve”, çfarë implikimesh mund të kenë në raportet mes Kosovës e Turqisë?

Xhevdet Pozhari: Jam i bindur se nuk do të ketë implikime që do të vinin në pikëpyetje raportet midis Kosovës dhe Turqisë dhe se kjo do të shënohet në mbëmendje vetëm edhe si një gafë e radhës e institucioneve fragjile të Kosovës të cilat udhëhiqen nga njerëz që nuk dinë t’i dalin zot vendit e as dine të ruajnë miqësitë e vendit të vet me shtetet mike. Më së paku duhet të sillemi me mendjelehtësi në këto rrethana kur udhëhiqemi nga njerëz që më shumë i kushtojnë vëmendje muskujve të trupit se sa “muskujve të trurit” dhe, me gjasë, arrijnë ta vetëgënjejnë vetveten deri në atë masë sa të pandehin se Kosova është superfuqi, në ndërkohë që jemi në shekullin 21 dhe nuk kemi zyrtarisht as ushtri! Kosova ka nevojë për miq, ndër të cilët Turqia është nga miqtë më të rëndësishëm të saj sepse bëhet fjalë për një ‘super fuqi’ rajonale e cila gjithmonë do luaj rol të rëndësishëm në fatin e Ballkanit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme