Zaev vazhdon të heshtë për negociatat me shqiptarët në Maqedoni

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti akoma nuk janë takuar. Funksionarë të lartë të BDI-së, në bisedë telefonike për TV21 kanë thënë se liderët e BDI-së dhe të LSDM-së nuk janë ulur në tryezë të përbashkët për të negociouar për formimin e shumicës parlamentare dhe të qeverisë së re.

Socialdemokratët vazhdojnë të heshtin edhe për platformën edhe për negociatat. Zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov bën thirrje për durim, sepse po punojnë që sa më parë të formohet qeveria e re.

A po zhvilloni negociata?

“U thashë, kini durim. Po punojmë në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje”, tha Shilegov.

A është e pranueshme për ju platforma?

“Në momentin kur do të na jepet mandati, do t’i tregojnë të gjitha qëndrimet tona për këtë çështje. Kjo ishte përgjigje e drejtpërdrejtë edhe nga ana e Zaevit.”

Në emisionin Klik Plus, Talat Xhaferi nga BDI e porositi Zaevin se në rast se e ai e pranon platformën, atëherë nuk ka nevojë të pres që t’i jepet mandati.

Mbështetje për LSDM-së tanimë ofruan edhe nga Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët të cilët deklaruan se do të bënin koalicion me Zaevin nëse ky do ta pranonte platformën si shtylla më e rëndësishme e qeverisë së re.

Qëndrimin e Xhaferi i cili u theksua para 4 ditëve në emisionin Klik Plus, e konfirmoi edhe zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.