Zafir Berisha:Kjo qeveri nuk e ka idenë për shumëçka e as për murin

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, duke folur në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka idenë për shumëçka në Kosovë, jo vetëm për murin e krijuar në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë.

 

Qeveria e Kosovës ka pohuar se nëpërmjet medieve është njoftuar për ngritjen e murit ndarës në Mitrovicë. Deputeti i Nismës ka thënë se krijimi i murit është veprim i politikës së Beogradit, të cilën po e pranon qeveria e Kosovës.

“Kjo është vazhdimësi e veprimeve të Beogradit në institucionet e Kosovës, me sjellje dhe veprime konkrete tërheqin vëmendjen e Kosovës. Vazhdimisht ka pasur këso veprime nga politika serbe. Pas disa kamionëve me zhavorr u ndërtua një ‘park’. Është një realitet që është kurdisur shumë më herët. Zyrtarët e Kosovës po e pranojnë realitetin që po e krijon politika e Serbisë. Kjo gjendje nuk i bën mirë vendit”, ka thënë Berisha në Interaktiv, transmeton Koha.net.

“Sjellja dhe paraqitja e qeveritarëve, në këtë rast të Edita Tahirit, tregon një papërgjegjësi. Ku janë institucionet vartëse të qeverisë në atë pjesë?. Këta po e demantojnë veten”, ka shtuar ai.

“Ai mur i përngjan mureve ndarëse që janë bërë me shekuj nëpër vende të ndryshme. Ky është provokim për rendin kushtetues dhe për vendin. Nuk besoj se do të nxis tensione”.