Zejd Rexhepi flet për ngjarjet e fundit në Turqi dhe për fitoren e Lëvizjes BESA

Lëvizja BESA përmes një reagimi dënoi tentimin për grusht shtet në Turqi duke i quajtur terroristë grupin e përfshirë. Lidhur me ngjarjet e fundit në Turqi si dhe përgatitjet e Lëvizjes BESA për zgjedhjet që do të mbahen në Maqedoni, portali Sakte.net realizoi një intervistë me anëtarin e kryesisë së kësaj lëvizje, Skender Rexhepi – Zejdi, i cili njëkohësisht është edhe njohës i gjeopolitikës dhe veçanërisht zhvillimeve në shtetin turk. Në këtë intervistë mund të lexoni pikëpamjet se Zejd Rexhepit lidhur me efektet që do të mund ta shkaktonte ndryshimi i pushtetit në Turqi pëmes puçit, aktivitetet e Lëvizjes BESA në të ardhmen dhe gadishmërinë e saj për zgjedhjet që pritet të mbahen në Maqedoni….

Sakte.net: Si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Turqi?

Zejd Rexhepi: Ngjarjet e fundit në Turqi, shfaqën tre fenomene tejet të rëndësishme, të cilat me ngjyrën e gjakut do të mbeten të shkruara në historinë botërore: – E para, ishte mënyra se si populli turk, pa dallim gjinie ose moshe, iu përgjigjën ftesës së kryetarit Erdogan dhe duke sakrifikuar edhe gjënë më të shtrenjtë të tyre, ata njëkohësisht në njërën anë mbrojtën vlerat bashkëkohore të arritura me shumë mund deri sot, dhe në anën tjetër me të njëjtën sakrificë falënderuan dhe shpërblyen udhëheqësit e tyre për gjitha të mirat që edhe kishin bërë ata për popullin dhe shtetin. Kjo ishte pjesa më e ndritshme e gjithë asaj dhimbjeje mbrëmjen e premtes. -E dyta, ishte fakti që deri ku shkon egërsira e një grup njerëzish, fatkeqësisht të fshehur edhe pas petkut fetar, që për të ardhur në pushtet, vrasin edhe ata të cilët edhe i kanë ushqyer deri sot, popullin e tyre, si dhe janë në gjendje të prishin integritetin dhe rendin kushtetues të vendit të tyre. Këtu mendoj për grupimin “gylenist”, të cilët deri sot nuk kishin kursyer asgjë që të përhapnin idetë e errëta të tyre. Mirëpo, kjo e fundit ishte fytyra reale e tyre, të cilët qeveria zyrtare turke i denoncoi si përgjegjës për terrorin e ushtruar gjatë tentimit për grusht shtet. -E treta, si fenomen risi në përditshmërinë shoqërore, ishte gatishmëria edhe e institucionit të Bashkësisë Islame të Turqisë, e cila brenda gjysmë ore arriti të mobilizojë të gjithë kuadrin e saj fetar, të cilët njëkohësisht nga të gjitha xhamitë e vendit pa ndërprerë deri në mëngjes thirrën popullin në mbrojtjen e vlerave bashkëkohore. Këto tre fenomene do të mbeten të shkruara në historinë e përgjakur të qytetërimit njerëzor, duke dëshmuar atdhedashurinë e pafund të një populli.

Sakte.net: Ndryshimi i pushtetit në Turqi çfarë efektesh do të mund të kishte në Ballkan?

Zejd Rexhepi: Turqia është një shtet me pozitë të rëndësishme gjeostrategjike qoftë për lindjen e Mesme, për shtetet e ish Bashkimit Sovjetik apo edhe për shtetet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe shtetet shqiptare. Andaj edhe politika shtetërore e Turqisë karshi vendeve tjera ka qenë konform pozitës së lartë përmendur gjeostrategjike. Kuptohet, sa i përket Ballkanit gjithsesi se ka pasur dallime varësisht prej qeverise që edhe ka qeverisur shtetin atje. Rrjedhimisht Turqia e qeverisjes Erdogan, ka dëshmuar se Ballkani ka rëndësi të veçantë për te dhe prandaj edhe është pjesëmarrëse në shumë segmente shoqërore në shtetet e Ballkanit. Mjafton që të përcjellësh qëndrimet e udhëheqësve shtetëror shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria dhe do t’i kuptosh raportet e tyre me qeverinë aktuale turke. Prandaj, nëse do të ndodhte ndryshimi i pushtetin në mënyrë demokratike, atëherë nuk mund të themi se do të kishte efekte shumë negative edhe për Ballkanin. Por, nëse i referohemi rastit të fundit, nëse do të ndodhte ndryshimi i pushtetit nëpërmjet dhunës dhe terrorit, atëherë besoj që asnjë shtet demokratik nuk do të kishte asnjë arsye bashkëpunimi me pushtetin e tillë. Besoj që në një rast të tillë, ata do të mund të bashkëpunonin vetëm me Serbinë dhe shtete të ngjashme.

Sakte.net: Kohë më parë patëm edhe organizimin e një proteste ku ishte bashkorganizatore edhe Lëvizja BESA. A do të protestoni edhe në të ardhmen apo konsideroni se me një protestë është kryer aktivizmi partiak?

Zejd Rexhepi: Protesta e fundit shqiptare e datës 9 maj, ku Lëvizja BESA ishte koorganizatore, ku për herë të parë në historinë e këtij shteti u mblodh një numër aq i madh shqiptarë në një vend për të protestuar kundër pushtetit. Kjo protestë kaq madhështore, në një farë mënyre ishte edhe mirënjohje nga shqiptarët ndaj punës, kujdesit dhe aktiviteteve të shumta që Lëvizja BESA i kishte realizuar në kuadër të programit të saj për të qenë në shërbim të qytetarëve. Lëvizja BESA është subjekt politik që pretendon të jetë zëri politik, ekonomik, kulturor dhe shoqëror i shqiptarëve dhe jo vetëm i tyre por edhe i të gjithë qytetarëve tjerë. Dhe të synosh të jesh zëri i tyre, së pari duhet të jesh edhe veshi i tyre, bile ndonjëherë duhet lënë anësh politikat madhore dhe të jesh pjesë e halleve të përditshme të shqiptarëve të cilët në vazhdimësi ndjejnë mungesë të kushteve elementare njerëzore. Mjafton të vizitosh lagjet ku jetojnë shqiptarët dhe do të shohësh që në mesin e tyre gjen pafund arsye për të protestuar kundër faktorit politik shqiptar në pushtet. Dhe në anën tjetër, mjafton që të vizitosh vendbanimet maqedonase, ku do të gjesh edhe një grumbull tjetër arsyesh për të protestuar edhe kundër faktorit politik maqedonas në pushtet. Dhe për të ndalur përbuzjen, diskriminimin dhe dhunën që ky pushtet VMRO-BDI ushtron mbi shqiptarët, pa dyshim që do të duhet të ketë shumë e shumë protesta edhe atë në forma të ndryshme.

Sakte.net: Lëvizja BESA është etabluar sipas sondazheve të fundit si partia kryesore opozitare shqiptare në Maqedoni. Sa jeni të gatshëm për zgjedhje?

Zejd Rexhepi: Ne kemi shumë pika referente ku mund të flasim mbi Lëvizjen BESA gjegjësisht peshën e saj politike. Takimet e udhëheqësve të Lëvizjes BESA nëpër të gjitha vendbanimet shqiptare, ku marrin pjesë numër befasisht shumë i madh i qytetarëve, aktivitetet e shumta kundrejt të gjitha anomalive që po i përjeton realiteti ynë politik dhe shoqëror dhe së fundmi sondazhet, janë tregues të qartë se Lëvizja BESA edhe në aspektin programor edhe në atë kadrovik është më se e gatshme të marr pjesë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen. Dhe jo vetëm që jemi të gatshëm të marrim pjesë por kemi të bindur se do të dalim edhe fitues si shbjekti më i ri politik i cili do të ketë kapacitet politik dhe intelektual që të ballafaqohet me politikat diskriminuese dhe antishqiptare, por edhe me sfidat e reja që do të paraqiteshin në të ardhmen.

Sakte.net: Cilat janë prioritetet e Lëvizjes BESA?

Zejd Rexhepi: Për Lëvizjen BESA individi apo qytetari ka rëndësi të veçantë, sepse duke i zgjidhur hallet e individëve ne arrijmë të zgjidhim edhe ato kolektive por edhe anasjelltas. Prandaj, ne do të vazhdojmë të kujdesemi për nevojat elementare të qytetarëve me qëllim që të kthejmë lumturinë në fytyrat e tyre. Pastaj, në konsultim permanent me subjekte dhe personalitete të ndryshme nga trojet shqiptare, do të hartojmë platformën zgjedhore e cila konform edhe synimeve programore do të dallonte çështjet prioritare si nga aspekti politik po ashtu edhe nga ai social dhe arsimor. Kështu që për Lëvizjen BESA prioritet është shtetformësia edhe shqiptare e këtij shteti, integrimet euroatlantike si dhe zbutja e gjendjes së mjerueshme të qytetarëve shqiptarë si nga aspekti social po ashtu edhe nga ai arsimor dhe kulturor.

Sakte.net: Çfarë prisni pas zgjedhjeve? A do të jetë BESA në qeveri dhe me kënd?

Zejd Rexhepi: Fillimisht, edhe ne ngjashëm si përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët janë në rolin e lehtësuesit, jemi thellë të interesuar që zgjedhjet, kurdo që të mbahen të jenë fer, të drejta dhe demokratike. Kuptohet, që të kemi zgjedhje te lira, duhet përmbushur disa parakushte për të cilat nuk janë të interesuara asnjëra parti qeveritare as VMRO e as BDI. Ne, shpresojmë që me trysninë e faktorit ndërkombëtarë, përfundimisht do të gjendet një zgjidhje politike dhe sa më shpejt do të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike, pas të cilave nuk duhet as të vihet në dyshim fitorja e Lëvizjes BESA në kampusin shqiptar. Gjatë krijimit të qeverisë së ardhshme, për ne nuk do të jetë shumë me rëndësi fituesi në kampusin maqedonas, por do të jetë me rëndësi esenciale marrëveshja paraqeveritare ku padyshim do të përfshihen edhe pikat bazë të platformës sonë politike dhe ekonomike, kuptohet duke mos i shkelur ne asnjë rast vijat e kuqe mbi të cilat nuk ka qeveri që mund të kalojë, siç janë gjuha shqipe, shteformësia, buxheti dhe arsimi i barabartë në të gjitha vendbanimet në vend, dhe jo vetëm ato maqedonase siç ka qenë praktikë e të gjitha qeverive deri sot./Sakte.net

Lini Një Koment