Zeneli kthehet nga lëndimi, Rashica lojtar i javës

Mesfushori Arbër Zeneli është kthyer nga lëndimi pas mungesës prej 12 ndeshjeve në futbollin e Holandës, shkruan “Koha Ditore”. Zeneli të shtunën luajti gjatë gjithë takimit te Heerenveeni që barazoi ndaj Vitesses me rezultatin 1:1.

Zeneli pësoi një lëndim më 23 shtator të vitit të kaluar dhe i mungoi Heerenveenit në 12 takimet e kampionatit holandez. Zeneli u nda i kënaqur me kthimin e tij në fushë.

“Paraqitje e mirë kundër një skuadre të mirë. Jam i lumtur që arrita të luaj 90 minutat e mi të parë pas një kohe të gjatë. Mezi pres të luaj në shtëpi para një publiku të mrekullueshëm që kemi”, ka shkruar Zeneli në Instagram.

Zeneli 22-vjeçar, para se të lëndohej, në shtatë paraqitje shënoi dy gola. Te Vitesse gjatë gjithë takimit luajti mesfushori tjetër i Kosovës, Milot Rashica. Rashica u zgjodh edhe lojtari më i mirë i javës, ka njoftuar “omroepgelderland.nl”.

“Rashica ishte kërcënim i madh për Heerenveenin. Ai u zgjodh lojtari i javës dhe forcoi pozitën e udhëheqësit në renditje për lojtarin më të mirë të vitit në kampionatin e Holandës”, shkruan sajti holandez.

© KOHA.