Zenoorin, femra e parë nga Irani që fiton medalje olimpike

Kimia Alizadeh Zenoorin ka shkelmuar kundërshtaret e saj dhe barrierat derisa është bërë femra e parë nga Irani që ka fituar një medalje olimpike. Ajo të enjten ka fituar medaljen e bronztë në taekwondo në kategorinë deri 57 kilogramë.

Ish-kampionia e botës për juniore, 18-vjeçarja, është shtrirë përtokë dhe ka puthur dyshemenë pasi mposhti Nikita Glasanoviqin e Suedisë me 5:1 në përballjen për të bronztën, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Jam shumë e lumtur për vajzat iraniane pasi është medalja e parë për ne dhe shpresoj që në Lojërat Olimpike të ardhshme të fitojmë të artën. Jam shumë e emocionuar dhe dua të falënderoj prindërit e mi dhe trajnerin tim. Ata kanë qëndruar prapa meje dhe jam shumë e lumtur”, ka thënë Zenoorin.

Irani ka fituar 65 medalje në Lojërat Olimpike vetëm në katër sporte – mundje, peshëngritje, taekwondo dhe atletikë – dhe e bronzta e Zenoorinit ishte medalja e pestë për shtetin aziatik në “Rio 2016” .