Zhbogar para largimit nga Kosova kërkon të votohet demarkacioni

Samuel Zhbogar tashmë po kalon orët e fundit të misionit të tij në Kosovë.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar në këto momente ndodhet në një takim mes miqsh të ftuar në përmbyllje të punës së tij në Prishtinë. Në një restorant në periferi të kryeqytetit, atë janë duke e nderuar me përshëndetjet e fundit shumë nga personalitetet me të cilët ai pati punë këto vite në udhëheqje të misionit të BE-së.

Samuel Zhbogar ka deklaruar se BE-ja pret se Kuvendi i Kosovës do të ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.

Zhbogar ka thënë gjithashtu se protestat dhe demonstratat janë demokratike, derisa ato janë paqësore por ai është shprehur kundër dhunës në Kuvendë, “aty vendoset me vota, me shumice votash” dhe sipas tij nuk ka vend për dhunë.

“Qëndrimi i BE-së është që Kuvendi i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Ne mendojmë se kjo çështje duhet të përmbyllet, kjo është edhe kusht i BE-së për Liberalizmin e vizave. Nga ana jone ne nuk kemi dashur të përzihemi lidhur me demarkacionin, ne nuk jemi marr me harta, ketë e kane bere ekspertet vendorë edhe ndërkombëtar”, ka thënë Zhbogar për transmetuesin publik.

Ai dha edhe një porosi për pasardhësin e tij, duke ja kujtuar atij dhe qytetarëve të vendit se “Kosova ka një histori shumë të vështirë, njerëzit kanë vuajtur aq shumë sa që duhet kuptuar se njerëzit mund të bëhen emocional, përfshirë edhe politikanët, dhe duhet kuptuar ata, por në fund të fundit kosovarët duhet ta dinë se vendimet përfundimtare i marrin vetë ata”.

“Kosova ka një të ardhme të mirë, më gjithë këtë popull që ka më shumë të rinj, energjitë e tyre, me gjithë Majlindat”, ka thënë Zhbogar duke e përmbyllur intervistën me deklarimin se ai përsëri do të jetë afër Prishtinës, ngase misioni i tij do të vazhdoj në Shkup. “Do të jem përsëri në Prishtinë, të paktën për të pirë makiatot më të mira në botë, ato që bëhen në Prishtinë”, ka deklaruar Zhbogar.