Zhduket ministri Skender Hyseni

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Skender Hyseni është zhdukur. Ai nuk duket gjëkundi pavarësisht vrasjeve të shumta dhe të njëpasnjëshme në Kosovë. 8 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë javës së fundit nga të shtëna me armë zjarri, ndërsa kanë filluar të shpeshtohen rastet e vendosjes së bombave nga grupe të panjohura, siç ishte rasti në oborrin e televizionit publik dhe në shtëpinë e drejtorit të këtij mediumi, Mentor Shala.

Situata u tensionua edhe në Mushtisht ku një grup i madh protestuesish dolën kundër kthimit të serbëve në këtë fshat pasi që në mesin e tyre kishte edhe kriminelë lufte.

Po ashtu, portali Sakte.net raportoi i pari se Mali i Zi tashmë ka blinduar kufirin me artileri të rëndë dhe ka shtuar forcat e patrollimit të njësive speciale. Por, i vetmi që nuk duket asgjëkundi, është njeriu kryesor përgjegjës për situatën e sigurisë në Kosovë, Skender Hyseni.

Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë filluar të shtohen zëra që kërkojnë largimin e tij nga ky post shkaku i gjendjes së brishtë të sigurisë në Kosovë./Sakte.net