Zvicra kritikon Kosovën se ia kërkoi futbollistët

Federata e Futbollit të Zvicrës ka kritikuar Federatën e Futbollit të Kosovës se ia ka kërkuar yjet e përfaqësueses A, duke thënë se në vend të kërkimit të yjeve “është dashur të punojë në forcimin e saj si federatë”.

Zvicra ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër Kosovës në kongreset e mbajtura në UEFA dhe FIFA për pranimin e FFK-së me të drejta të plota dhe për këtë thotë se kishte arsye. Zvicra thotë se kritikat që kishte dhënë në kongreset e UEFA-s dhe FIFA-s për pranimin e Kosovës ishin bërë për të shmangur “problemet” e sotme që një futbollist nga Zvicra dëshiron të luajë për Kosovën.

Përmes një letre të publikuar, SFV thotë se beson që futbollistët me origjinë nga Kosova nuk kanë të drejtë të ndërrojnë kombëtaren pasi janë paraqitur në Euro 2016, por shton se për të sqaruar më mirë këtë është dashur një vendim i prerë nga UEFA dhe FIFA, por që asnjëra nuk e ka dhënë këtë.

“Situata aktuale e futbollistëve të Zvicrës dhe Federatës së Kosovës është ajo që Zvicra donte të shmangte shumë më herët. Për këtë bëmë përpjekje gjatë kongreseve në UEFA e FIFA në fund të prillit dhe në fillim të majit që të qartësojmë këto ndodhi. Fatkeqësisht UEFA dhe FIFA nuk dëgjuan. Në votime për pranim Kosova u pranua me të drejta të plota, siç ishte edhe dëshirë e Zvicrës. Por në vend se Kosova të punojë në forcimin e saj si federatë, zyrtarët e saj kanë punuar me javë që të afrojnë dhe të bindin lojtarë që të luajnë për Kosovën në kualifikimet për Botëror. Kjo ka zgjuar komente të shumta, nganjëherë edhe emocionuese, nga shumë palë, që ka shtuar presion të madh te lojtarët dhe familjet e tyre. Një qëndrim i qartë i FIFA-s do të sqaronte situatën menjëherë”, thuhet në letrën e Zvicrës, transmeton koha.net.

Federata e Zvicrës ka kërkuar nga të gjithë që të respektojnë vendimet e lojtarëve dhe ka falënderuar yjet kosovarë të Zvicrës që nuk janë larguar nga vendi.

“Futbollistët me rrënjë nga Kosova apo çdo shtet tjetër janë të respektuar këtu dhe kanë shfaqur publikisht falënderimin për ndihmën e Zvicrës në situata vërtetë të vështira, duke mos mohuar kurrë origjinën”, thuhet në një pjesë të njoftimit të Federatës zvicerane.

Ky koment nga Zvicra vjen pas letrës së publikuar të Granit Xhakës, që pranoi dëshirën për të luajtur për Kosovën, duke thënë se një gjë e tillë nuk i mundësohej nga FIFA. Ai po ashtu ishte shprehur se do të vazhdonte me Zvicrën edhe për hir të respektit që ka ndaj shtetit që i ndihmoi atij në kohë të vështira.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme