Zyrtari qeveritar pranon se ka dhënë para për ta ndihmuar arratisjen e një të burgosuri

Petrit Mustafa, zyrtar në Ministrinë e Diasporës, e kishte njohur që prej kohësh serbin e kërkuar nga INTERPOLI, Mario Milosheviq. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë në deklaratën e tij dhënë hetuesisë.

Siç ka marrë vesh “Koha Ditore”, Mustafa kishte krijuar njohje me Milosheviqin në kohën kur ai po qëndronte në mënyrë ilegale në veri.

Një burim i ka thënë gazetës se Mustafa para hetuesisë ka mohuar se ka ndonjë lidhje biznesore me Milosheviqin, por vetëm ka thënë se ka raporte shoqërore.

Të mërkurën Policia e Kosovës ka arrestuar Stefan Veliçkoviqin dhe Petrit Mustafën.

Veliçkoviq është gardian në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, ndërsa Petrit Mustafa është zyrtar i Ministrisë së Diasporës.

Nga deklaratat e dhëna në hetuesi të dy zyrtarët e kanë pranuar fajin.

Lini Një Koment