A ishin pronat e Behgjet Pacollit në Gollak arsyeja e konfliktit të tij me Pal Lekajn?

Një përplasje verbale e cila ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës ndërmjet zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, lidhur me ndërtimin e trasesë së autostradës Prishtinë – Gjilan, për pak sa nuk ka përfunduar me konfrontim fizik ndërmjet tyre. E ky fakt, detyroi sot Ministrinë e Infrastrukturës të therret konferencë urgjente, për të dhënë sqarime rreth trasesë së kësaj autostrade.

Në hyrje të konferencës, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu pohoi se ka qenë pikërisht kërkesa e zëvendëskryeministrit Pacolli, për ndryshimin e trasesë së autostradës Prishtinë – Gjilan, ajo e cila i ka nxitur për të dalur me një sqarim për opinonin e gjerë.

Nga aty, Kadriu prezantoi qëndrimin e Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me trasen e kësaj autostrade e cila është ndërruar me të ardhë në krye të saj, ish-deputeti i AAK-së Pal Lekaj. Ky zëvendësministër sqaroi se kanë kursyer miliona euro nga buxheti i shtetit me ndryshimin e trasesë së kësaj autostrade.

“Obligime e kësaj autostrade i kemi gjetur në gjysmë, pastaj ne i kemi marrë masat. Autostrada e Gjilanit ka qenë kërkesë e qytetarëve dhe bizneseve në rajonin e Anamoravës. Kjo autostradë po niset me një kosto më të ulët se sa ajo që ishte menduar nga ish-ministri Lutfi Zharku, pra kostoja e saj është 12 milionë euro më e vogël sesa traseja e kaluar. Punimet priten të nisin gjatë mujiat mars”, tha ai.

Kadriu, duke e akuzuar për marrëveshje sekrete ish-ministrin Zharku për orjentim të trasesë së autostradës në kah të kundërt me të cilin është tani, ka aluduar tek zëvendëskryeministri Pacolli, i cili sipas tij mund të ketë qenë i përfshirë në këtë punë për interesa të ngushta personale.

“Ne nuk do të mirremi me atë nëse dikush ka marrëveshje me ish-ministrin”, tha shkurt ai.

Tutje, i pyetur nëse Pacolli, i ka kërkaur Lekajt që të ndryshohet kjo trase, Kadriu nuk e mohoi një gjë të tillë, megjithëse u shpreh se nuk do të ketë ndryshim të saj.

“Zëvendëskryeministri mund t’i këtë kërkuar por nuk do të ketë ndryshim të trasesë”, u shpreh tutje.

I pyetur për këtë çështje, zëvendëskryeministri Pacolli, nuk e ka pranuar se kërkesën për ndërrimin e trasesë e ka bërë për interesa të ngushta personale. Ai madje tha për “Gazeta Blic” se as nuk është takuar ndonjëherë me ish-ministrin Zharku për të diskutuar rreth kësaj çështje.

“Kush do që ka thënë se kërkesa ime për ndërrimin e kësaj traseje është bërë për shkak të asaj se unë kam prona në atë pjesë nga ka pasur të kalojë autostrada ka gënjyer pasi që pronat e mia janë në fshatin Marevc dhe kanë distancë nga rruga ku ka pasur të zgjerohet diku rret 10 kilometra. Unë madje as nuk jam takuar ndonjëherë me ish-ministrin Zharku për këtë çështje dhe nuk kam pasur asnjë marrëveshje më të”, tha Pacolli.

I pyetur se si do të veprojë pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, se nuk do të bëjë ndryshime në trasenë e kësaj autostrade, Pacolli tha se nuk do të bëjë asgjë, por do ta pranoj si të tillë.

“Nuk kam çfarë të bëjë, nëse ata kanë vendosur që ajo të mos ndryshoj, do ta pranoj”, ka deklaruar ai.

Megjithatë në një shkrim të publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin shoqëror Facebook Pacolli ka thënë se devijimi i trasesë së kësaj autostrade është bërë shkaku i mosangazhimit të tij në këtë drejtim.

“Në kohën e qeverisjes 2011-2014, është paraparë zgjerimi i rrugës ekzistuese në katër korsi, nga Veterniku drejt pallatit të drejtësisë, në pjesën e majtë të Liqenit, Suteskë, Slivovë, Llabjan, Bresalc, Gjilan.  Qytetarët e asaj pjese duhet ta kenë këtë rrugë, që përveq se do tu shërbejë njerëzve që jetojnë atje, do jetë edhe nxitje e madhe e kthimit të popullatës, që tani janë duke u braktisur atë zonë. Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë pjesë e një dakordimi edhe me kryeministrin kur është formuar qeveria e Kosovës. Për shkak të angazhimeve të mija jasht vendit, fatkeqësisht është devijuar traseja krejtësisht në drejtim tjetër dhe Gollaku ka mbetur i privuar nga e drejta për të pasur qasje në infrastrukturë moderne rrugore”, tha Pacolli.

Për trasenë e vjetër të autostradës Prishtinë – Gjilan, ish-ministri Zharku, nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se i takon Ministrisë së Infrastrukturës që të deklarohet lidhur me këtë çështje.

“Drejtohuni në ministri, për çdo gjë janë departamentet përgjegjëse”, ka thënë ai duke refuzuar të jap më shumë detaje.

Ndryshe, jo zyrtarisht “Gazeta Blic” ka mësuar se Pacolli ka realizuar edhe një takim me Presidentin e vendit Hashim Thaçi, nga i cili mësohet ti këtë kërkuar veprime konkrete në ndryshimin e trasesë së kësaj autostrade.

Pacolli në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar si pronë të paluajtshme  në vend 29 mijë e 345 metra katrorë, sipërfaqje kjo e cila pjesërisht supozohet të jetë në afërsi të trasesë së vjetër të autostradës.

Pasuria e paluajtshme e Pacollit. Deklarimi në ATK

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme