Alarmohen mediat serbe, akuzojnë Bosnjën për Kosovën

Nën përkujdesjen e Konsullatës së Bosnjës e Hercegovinës në Mynih të Gjermanisë është mbajtur manifestimi Dita e Ballkanit, ku sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka marrë pjesë edhe Kosova. Ky fakt i ka alarmuar mediat në Serbi.

Siç njofton gazeta serbe Blic, pavarësisht faktit se Bosnja e Hercegovina (BeH) nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, më 23 mars, nën përkujdesjen e Konsullatës së BeH në Mynih, Kosova është promovuar si shteti më i ri në Evropë, përcjell Telegrafi.

Ndërsa në Konsullatën e BeH në Mynih kanë thënë se vendet e pjesëmarrëse të Ditës së Ballkanit kanë qenë të njëjta si edhe viteve të tjera.

“Nuk e kam parë këtë, më vjen keq, është një organizatë joqeveritare “Human Human Help”, e cila synon të paraqesë kulturën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një ngjarje kulturore dhe nuk hyjnë në politikë”, thotë Ruzimira Tihic Kadriq, konsulli i përgjithshëm i BeH në Mynih.

Sipas mediave serbe organizatorët e Ditës së Ballkanit, me çfarë kanë rënë dakord me sponsorët, janë përkujdesur që flamuri i Kosovës të ketë vendin e vet në simbolin e kësaj ngjarjeje, lulen ballkanike, respektivisht ta ketë petalen e saj në lule, e cila sipas përshkrimit paraqet shumëllojshmërinë e Ballkanit.

Lini Një Koment