Bashkimi i ‘zorshëm’ dhe ndarja e ‘lehtë’ e VV-së

Kthimi i Donika Kadaj-Bujupit në AAK e kërkesa e deputetëve të dorëhequr të Vetëvendosjes për krijimin e një grupi parlamentar ka zyrtarizuar ndarjen e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje.

12 deputetë të Vetëvendosjes sot i kanë dërguar sekretarit të Kuvendit kërkesën për të themeluar grupin e tyre parlamentar.

Ndërsa deputetja tjetër, Donika Kadaj Bujupi, nuk u rreshtua as në krahun e Albin Kurtit e as në krahun e të pakënaqurve. Ajo u kthye në partinë e Ramush Haradinajt.

Vetëvendosje deri më tani gjithmonë ka pasur rritje. Në të gjitha garat politike ka fituar më shumë se në ato parapraket.

Në zgjedhjet e para kur Vetëvendosje hyri në politikë kishte fituar 13 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e 2014, Vetëvendosje u rrit për 3 deputetë.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit (2017) ajo kishte marrë dyfishin, 32 deputetë.

E sot, pas kërkesës për grup të ri parlamentar dhe kalimin e Donika Kadaj-Bujupit në AAK, Vetëvendosje ka mbetur me 19 deputetë.

Në zgjedhjet lokale të 2013, Vetëvendosje kishte marrë vetëm një komunë, por më të madhen. Vetëvendosje ia kishte marrë pushtetin 14 vjeçar LDK-së në Kryeqytet, ndërsa në qytetet e tjera kishte dështuar.

Në zgjedhjet e 2017, Vetëvendosjes kishte shkuar në balotazh në 6 komuna, ku në fund kishte fituar 3 prej tyre: Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë.

Mirëpo pas dorëheqjeve nga VV të kryetarëve të Kamenicës dhe Prishtinës, Vetëvendosje drejton vetëm një komunë –  Prizrenin.

Historia e Vetëvendosjes që nga 2005-ta

Vetëvendosje u formua si një lëvizje që insistonte që Kosova ta përcaktojë fatin e saj vetë dhe duke kundërshtuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për të ardhmen e vendit.

Më 12 qershor 2005 , kur Kosova po festonte 6 vjetorin e çlirimit nga regjimi serb, një grup i të rinjve dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK.

Një ish-udhëheqës i lëvizjes studentore, Albin Kurti, i cili ishte burgosur nga Serbia gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s më 1999, udhëhoqi grupin e njerëzve të cilët kishin shkruar sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje” në muret e UNMIK-ut.

Fillimi i lëvizjes e cila sfidoi një sistem politik të sponsoruar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, përkoi me kohën kur ish sekretari i OKB-së emëroi një diplomat norvegjez, Kai Aide, për të parë nëse ishte koha për të ecur përpara në zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Pas veprimeve të shumta në rrugë, duke përfshirë shkrimet e grafiteve në mure, në shkurt të vitit 2007 Vetëvendosje kishte organizuar një protestë masive në sheshin kryesor të Prishtinës, kur i  dërguari i OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, diplomati finlandez Marti Ahtisaari, paraqiti planin e tij, për të cilin lëvizja këmbënguli se nuk përmbushte pritjet.

Dy protestues u qëlluan për vdekje nga policia speciale rumune që vepronte në kuadër të UNMIK-ut.

Në fillim të këtij viti, organizata mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut Amnesty International i bëri thirrje OKB-së për t’i dhënë drejtësi familjeve të dy viktimave dhe të kërkojë falje për “dështimin për të mbrojtur jetët e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit”.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Por ndërkohë që shumë analistë menduan se tani ishte koha që Vetëvendosje të lëvizë nga veprimet e rrugës në angazhim politik në Parlament, Lëvizja ka vazhduar me të dyja.

Në qershor të vitit 2013, kur deputetët po diskutonin marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë, protestuesit e Vetëvendosjes bllokuan hyrjet në Parlament.

Ish ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson kishte pësuar gërvishtje në dorën e saj duke u përpjekur për të hyrë në ndërtesë.

Disa javë më vonë, ish-Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philipp Reeker bëri bujë të madhe kur reagoi me zemërim ndaj incidenteve të tilla.

“Palaçot që duan të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit,” tha Reeker.

Përgjigja e Vetëvendosjes erdhi menjëherë. “Kjo është një gjuhë anti-demokratike. Autoriteti amerikan nuk mund të ndërtohet duke ofenduar një bashkësi politike”, tha Dardan Molliqaj në atë kohë, e që tani po cilësohet si ‘katalizatori’ i ndarjes së Vetëvendosjes.

Në ndërkohë, Vetëvendosja përdori gaz lotsjellës brenda Parlamentit dhe koktej molotovi jashtë tij në përpjekje për të ndaluar Parlamentin që të ratifikojë një marrëveshje kufiri me fqinjin e Kosovës me Malin e Zi dhe themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Pas gati 4 vitesh të marrëdhënieve të akullta në mes të Vetëvendosjes dhe partnerët amerikanë të Kosovës, të dy palët duket se kanë arritur një shkrirje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme