Cili është roli i Adnan Ismailit në skenën politike shqiptare në Maqedoni? Përgjigjet vetë ai

Pas aksionit dhurues me rastin e 7 Marsit, që SHB “Logos-A” po e realizon këto ditë në bashkëpunim me SHB “Shkupi” dhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë, Almakos përfitoi nga rasti për të realizuar një bisedë më të gjatë me drejtorin e SHB “Logos-A” nga Shkupi, Adnan Ismaili.

Me këtë rast biseduam për botimet e Logosit në vitin 2017, për planin botues në vitin 2018, për mbështetjen që i jepet kulturës shqiptare në Maqedoni, por edhe për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me librin dhe arsimin shqip, por nuk mundëm pa prekur edhe tema politike, në të cilat emri i tij shpeshherë është përmendur.

Almakos: Kërkojmë ndjesë që e ndryshojmë temën, por meqë para do kohe patët një letër, ku thoshit se i keni ndihmuar partitë shqiptare, a mund të flisni cili është roli i Adnan Ismailit në skenën politike shqiptare në Maqedoni?

A. Ismaili: Për këtë temë u deklarova para disa ditëve dhe nuk di a ka nevojë të flas përsëri, por meqë e shtruar si pyetje, po them shkurt se unë asnjëherë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike, por kam ndihmuar aq sa kam mundur e sa ka kam ditur për partitë politike shqiptare. Veçanërisht, bashkë me shokët, jemi përpjekur t’i ndihmojmë të plagosurit e UÇK-së në luftë dhe të ndihmojnë në aspektin humanitar popullatën e prekur nga lufta. Duke besuar se sjellin vlera të reja në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni, e kam ndihmuar edhe Lëvizjen BESA dhe kam pasur komunikim edhe me drejtuesit e asaj partie. E tash kur atje ndodhën këto probleme, disa nga ata edhe nuk e përmbajnë veten duke shpifur e thënë edhe gjëra që nuk i duron goja. Mua më mbetet vetëm shija e keqe e zhgënjimit dhe tradhtisë nga disa prej ata, por jeta vazhdon. Unë nuk jam penduar që u kam ndihmuar. Sidoqoftë, secili në jetë e ka pjesën e tij të përgjegjësisë. Unë vazhdoj të kem respekt për idenë e atij subjekti, sepse besoj se shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për më shumë ide të reja dhe frymë të re.

Lini Një Koment