Dashnori i Linda Lee

Ai la gotën e uiskit dhe vijoi të vështronte lëvizjet e vajzës që hynte e dilte në banakun e atij lokali. Kishte veshur një fustan të kuq me pika, ndërsa flokët e verdhë i shtriheshin poshtë qafë… Ajo u buzëqeshte klientëve, dhe kur kaloi pranë tij nuk e hodhi vështrimin… Ishte viti 1976, dhe portreti i Charles Bukowski-t ishte i njohur për të gjitha femrat amerikane… Të gjitha do të donin të ishin një moment pranë tij…

Proza e tij e shkurtër, poezitë plot melankoli e erotizëm, i bënin femrat të donin të gjenin burrin që i kishte shkruar ato, burrin që dukej se njihte aq mirë çdo qelizë të trupit të një gruaje…. Por ajo, Linda Lee Beighle, nuk e ktheu vështrimin nga ai… as kur mori xhaketën e varur bri derës, dhe humbi tej në rrugë. Portreti i heshtur i vajzës do ta shoqëronte gjatë gjithë mbrëmjes poetin, i cili do të kthehej të nesërmen në të njëjtën orë për ta parë sërish atë… Vetëm fustani i saj kishte ndryshuar, ndërsa historia ishte po ajo… Kur ai iu afrua dhe i tha se donte të dilte në mbrëmje me të, ajo me mirësjellje i tha se “nuk kishte kohë”.

Të njëjtën fjali ia përsëriti me muaj me radhë, çdo ditë teksa ai kalonte për të drekuar në restorantin e saj, deri sa një ditë, Linda Lee vendosi të ndryshonte mendim. Tek e shihte të ulur në tavolinën e tij të përditshme me një tufë librash pranë tij, ajo iu afrua dhe i tha se donte të dilte me të atë mbrëmje. Ajo mbrëmje do të ndryshonte shumë gjëra në jetën e Charles Bukowski-t. Gruaja që ai kishte pranë nuk ishte vetëm e bukur, por dhe një adhuruese e fshehtë e vargjeve të tij… Ajo kishte ditur gjithçka për burrin që i lutej çdo ditë të dilte me të… Ashtu si Bukowski, ajo e dashuronte pijen, dhe orët e gjata pas mesnate në lokal… Tashmë ai nuk ishte vetëm në dëshirën e tij për të jetuar ndryshe. Bukowski do ta kthente pasionin për këtë grua në një muzë frymëzimi për një nga romanët më të famshëm të tij që do të shkruante më pas. Nata për ta ishte ndjellëse drejt pijes dhe seksit… Linda do të kthehej në personazhin kryesor që Bukowski do të kishte në mendje gjatë gjithë kohës, teksa hidhte në letër një nga librat më të lexuar të të gjitha kohërave.

Për të, “Femrat” nuk është vetëm një roman erotik, por një roman ku mund të gjesh dhe ndjenja që atij, në moshën 56-vjeçare, ia ringjalli sërish një grua. Pas 9 viteve bashkëjetesë, Bukowski do të martohet me Linda Lee, e cila tashmë do të marrë mbiemrin e tij, Bukowski, më 1985-n. Për shumë kritikë të veprës së shkrimtarit, kjo grua do të ndikojë pozitivisht në jetën e tij private e letrare. Ai i referohej asaj “Sara” në romanin “Femrat” dhe “Hollywood”.

Për mikun e tij Taylor Hackford, Linda i shtoi edhe një dekadë tjetër jetë shkrimtarit, pasi para se ta njihte atë, ai i ishte përkushtuar pijes. Linda do të ishte gruaja që deri në momentin e fundit të jetës, më 9 mars 1994, kur ai mbylli sytë përgjithmonë nga leucemia në San Pedro, do të ishte gjithnjë pranë tij. Humbjen e tij ajo e ktheu në përkushtim ndaj veprave që ai la pas, duke qenë se ishte trashëgimtarja e veprës së tij letrare. Në vitin 2006, ajo i dhuroi bibliotekën private të të shoqit Bibliotekës Hungtington në San Marino Kaliforni. Femrat kanë qenë gjithnjë frymëzimi i vetëm i Bukowski-t.

Para se të martohej me Lindën, jeta e tij endej femrave dhe alkoolit. Takimet dashurore ai i kthente në materiale letrare. Në novelën “I lindur kështu”, Bukowski tregon si e humbi virgjërinë në moshën 24-vjeçare me një lavire, për të cilën kishte paguar 300 paund, dhe gjatë mbrëmjes me të kishte thyer të gjitha këmbët e krevatit. Kjo përvojë e tmerrshme do të ndikonte në jetën e mëvonshme seksuale të shkrimtarit. Më 29 tetor të vitit 1955, ai u njoh me poeten dhe shkrimtaren Barbara Frye, me të cilën do të martohej më vonë në Las Vegas. Frye ishte redaktore e një reviste të përjavshme, në të cilën Bukowski dërgoi një cikël me poezi, të cilat do të tërhiqnin vëmendjen e gruas që i pëlqente letërsia. Në një letërkëmbim që patën bashkë, ajo i tha që ishin poezitë më të mira që kishte lexuar ndonjëherë.

Dashuria e tyre nisi përmes letrave, dhe propozimin për martesë Bukowski ia bëri në një prej tyre. Ajo iu përgjigj duke i thënë se ishte dakord të martoheshin që në atë moment, dhe në cilin stacion treni do ta priste. Kjo dashuri si në libra nuk do të zgjaste shumë për djaloshin që i pëlqente të ishte i lirë si era. Frye dëshironte të kishte një fëmijë, Bukowski nuk donte. Kur ajo mbeti shtatzënë, nuk mundi ta mbante fëmijën, për shkak të një komplikacioni dhe dështoi.

Në mendjen e saj ajo mendonte se shkak i dështimit ishte pija e Bukowski-t. Më 18 mars të vitit 1958 ata divorcohen. Dhe pse Frye mendonte se ndarja nuk do të ndikonte në marrëdhëniet e tyre letrare, Bukowski nuk do të botonte më në revistën ku ajo punonte. Pas ndarjes, ai iu përkushtua më tepër alkoolit dhe nisi të shkruante më shumë poezi. Jane Cooney Baker ishte e dashura e ardhshme e Bukowski-t, një vajzë e alkoolizuar. Ata u njohën në një nga baret ku shkrimtari kalonte mbrëmjet duke pirë. Ajo vdiq më 22 janar 1964 nga cirroza e shkaktuar prej pijes. Vdekja e saj do ta çonte Bukowski-n në një depresion të gjatë. Ai vazhdoi të shkruante poezi dhe të vuante nga kompleksi i vetëvrasjes. Më 7 shtator 1964, Bukowski do të bëhej baba krejt rastësisht. Marina Louise Bukowski lindi nga e dashura e tij Frances Smith.

Bukowski nuk kishte përdorur prezervativ, pasi mendonte se e dashura e tij 42-vjeçare ishte e vjetër për të mbetur shtatzënë. Kur mësoi për lindjen e vajzës, ai mori mbi vete të gjitha përgjithësitë dhe vendosi që të jetonte për Francës për të rritur fëmijën. Francës do të shprehej më vonë se ai ishte një baba i mrekullueshëm, vazhdimisht i vëmendshëm. Nëse më parë ai dyzohej mes mendimit të vetëvrasjes, tashmë kishte dy arsye të forta pse duhet të vazhdonte të jetonte: vajza e tij dhe shkrimet. Pak kohë më vonë, ai nisi të dilte me skulptoren Linda King për një kohë të gjatë. Ajo ishte më e madhe se ai, por nuk ishte ky problemi i lidhjes së tyre.

Si dy artistë, ata shpesh kishin përplasje idesh, dhe shpesh kundërshtonin njëri-tjetrin. Linda realizoi një portret në skulpturë të Bukovski-t, portret ku gruaja ka derdhur gjithë pasion e saj për të. Linda do të kishte ndikim në letërsinë e mëvonshme që Bukowski shkroi. Ajo e inkurajoi atë të shkruante mbi femrat e jetës së tij. Linda ishte e bindur se nëse ai do të hidhte në një libër përvojat e tij seksuale, do të ishte mbreti i shkrimtarëve, i adhuruari i femrave… Dhe King kishte të drejtë, libri i tij “Femrat”, të cilin e shkroi gjatë kohës kur jetonte me një tjetër Linda, do ta bënte atë burrin që çdo grua do ta donte ta kishte pranë…

Lini Një Koment