Dyshime se Adem Grabovci dhe Fatmir Limaj krijuan kompani për të fituar tenderë në ministrinë që e drejtonin (Video)

Drejtori i portalit Insjaderi.com, fituesi i shumëfishtë i çmimeve gazetareske Parim Olluri ka shpalosur në emisionin “Saktë” detaje të reja të cilat pritet të bëhen publike në të ardhmen lidhur me disa politikanë në Kosovë.

Qëllimi i publikimit të përgjimeve, sipas Ollurit, është monitorimi dhe bërja publike e veprimeve të pushtetarëve kur ka argumente për keqpërdorime të ndryshme.

“Tash jam duke e zhvilluar një hulumtim që ndërlidhet me z. Grabovci që tregon se si një kompani e një familjari të Adem Grabovcit ka fituar tenderë në vlerë prej 600 mijë eurove në kohën kur Grabovci ishte zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Postë – Telekomunikacionit. I kam dërguar pyetje edhe ministrisë por edhe z.Grabovci dhe jemi në pritje të përgjigjeve të tyre. Për mua është shumë e dyshimtë se qysh është krijuar ajo kompani, qysh është fuqizuar pikërisht në kohën kur Grabovci ishte zëvendësministër. Dhe në atë kompani përveç familjarit të Adem Grabovcit është edhe një person që ka qenë i lidhur me z. Fatmir Limaj që në atë kohë ka qenë ministër. Është një kompani që bëhet fjalë për një pronar që ka lidhje me ministrin e atëhershëm, e tjetri me zëvendësministrin, gjë që nxit dyshime Adem Grabovci dhe Fatmir Limaj ishin ndoshta ideatorët e krijimit të asaj kompanie”, shprehet Olluri në emisionin Saktë që është bashkëprodhim i portalit Sakte.net dhe televizionit First Channel.

Ky hulumtim pritet të publikohet gjatë javës së ardhshme në Insajderi.com/Sakte.net

Lini Një Koment