Gjeneralët serbë përvojat e krimeve në Kosovë ua bartin oficerëve të ardhshëm

Gjeneralët më të shquar dhe oficerët e lartë të Ushtrisë së Jugosllave (UJ), që komanduan luftën në Kosovë (e Metohi, siç e quajnë Republikën e Kosovës mediat e zyrtarët serbë) më 1998 e 1999 dhe gjatë luftës në ish-Jugosllavi do të kthehen si ligjërues në Akademinë Ushtarake, shkruan sot “Novosti” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Siç shkruan kjo gazetë, ajo ka marrë vesh se ata do të kenë për detyrë që përvojat e tyre të luftës t’ua transmetojnë gjeneratave të eprorëve, të cilët aktualisht po shkollohen në këtë institucion ushtarak. Kësodore, i pari para kadetëve të Akademisë Ushtarake duhet të dalë komandanti i dikurshëm i Korpusit të Prishtinës dhe i Armatës së Tretë të UJ, gjenerali në pension Vlladimir Llazareviq.

Ndër personalitetet që do të kenë rastin që kadetëve t’ua transmetojnë përvojat e veta të zhvillimit të operacioneve luftarake do të jenë edhe gjeneralët Bozhidar Deliq, Lubisha Dikoviq dhe një varg oficerësh të lartë që kanë ushtruar pozita më të rëndësishme gjatë luftës (Beogradi vazhdimisht luftën në Kosovë e “zbut” në konflikt) në Republikën Federative të Jugosllavisë, transmeton Koha.net.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ia ka konfirmuar “Novostit se komandantët e dikurshëm do të marrin rolin e tyre në shkollimin ushtarak dhe shton se ata njerëz duhet të jenë shembull për gjeneratat e tashme të oficerëve:

“Kemi vendosur rregullin që eprorët më të shquar nga luftërat e kaluara të fitojnë hapësirë në Akademinë Ushtarake dhe që t’u mbajnë ligjërata kadetëve, madje edhe gjeneratës së tashme të oficerëve. Kjo përbën një kthesë të madhe dhe në njëfarë mënyre një korrigjim i padrejtësisë që u është bërë gjatë viteve të shkuara. Ata gjatë shumë viteve nuk kanë guxuar as të shkelin në Akademinë Ushtarake dhe në çfarëdo objekti ushtarak. Shteti shumë lehtë kishte hequr dorë nga përvoja më e çmuar nga e cila nuk do të hiqte dorë asnjë ushtri në botë.”

Në deklaratën dhënë “Novostit” Vulin thekson se gjeneralët si Llazareviqi, Deliq, Dikoviqi dhe të tjerët kanë shumëçka të rëndësishme t’ua bartin kolegëve të rinj. Ata, në Akademinë Ushtarake do të ligjërojnë nga fusha ku janë më të mirët – komandimi i ushtrisë në kushtet më të vështira.

“…Askush nga këta njerëz nuk bën të largohet nga kjo botë pa e lënë të shkruar dëshminë se çfarë ka bërë dhe çfarë vendimesh ka marrë” ka thënë ministri serb i Mbrojtjes.

Për hir të kulturës së kujtesës së paraardhësve të merituar Ministria e Mbrojtjes do të bëjë regjistrimin e të gjithë gjeneralëve dhe kolonelëve të rënë në fushë të betejës në luftërat nga shekulli i 19-të deri më sot… Patriotizmi, gatishmëria dhe sakrifica për Serbinë nuk guxon të harrohen, është shprehur ministri Vulin, transmeton Koha.net.

Disa nga këta gjeneralë dhe ushtarakë të lartë serbë, për krimet në Kosovë dhe pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë janë dënuar në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte, plotëson Koha.net shkrimin e “Novostit”.

(Në foto gjeneralët: Vlladimir Llazareviq, Bozhidar Deliq dhe Lubisha Dikoviq)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme