Ja për çfarë akuzohen dy drejtorët e Komunës së Gjilanit

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kësaj komune.

Aktakuza e shkruar në 14 faqe shpjegon se për çka po akuzohen drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Valon Shefkiu dhe drejtori i Shërbimeve Publike në po këtë komunë, Naser Korça.

Gjithmonë sipas aktakuzës, të dy zyrtarët komunalë po ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I pandehuri Valon Shefkiu, sipas aktakuzës në cilësi të personit zyrtar, gjatë periudhës që nga nëntori i vitit 2016 e deri më tash ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose ka ndihmuar të përfitojë personi tjetër. Ai, sipas aktakuzës, nuk ka ekzekutuar vendimet lidhur me rrënimin e disa objekteve montuese të cilat gjenden në zonën Qendra (objekti i shtëpisë së mallrave në Gjilan), si dhe lokaleve të tjera të ngritura pa leje në disa pjesë të qytetit si në Lagjen Dardania, që këto hapësira të lirohen.

Sipas aktakuzës së siguruar nga kallxo.com, Naser Korça, drejtori i Shërbimeve Publike, gjatë periudhës nga nëntori i vitit 2016 në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, ose nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo i ka shkaktuar dëm personit tjetër ose seriozisht i ka shkelur të drejtat e personit tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar të operojë në disa biznese hoteliere në mënyrë të kundërligjshme duke shfrytëzuar hapësirat publike- trotuaret të cilat gjenden para lokaleve hoteliere për zhvillimin e kësaj veprimtarie .

Prokuroria themelore, më saktësisht Departamenti për Krime të Rënda në Gjilan ka kërkuar që të mbahet shqyrtim kryesor publik dhe ka ftuar që të dëgjohen dëshmitarët në këtë rast.

Pesë dëshmitarë do të dëgjohen për keqpërdorimet për të cilat akuzohen Valon Shefkiu e Naser Korça.

Aktakuza është ngritur  pasi më 30 nëntor 2017, Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar një kallëzim penal ndaj të pandehurve Valon Shefkiu e Naser Korça.

Me të pranuar kallëzimin, prokurori i çështjes ka filluar hetimet kundër Shefkiut e Korçës.

Në lidhje me veprat që u ngarkohen Shefkiut e Korçës, këta të dy sipas aktakuzës para prokurorit kanë mohuar veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Sipas aktakuzës, prokurori i rastit Agron Uka ka konsideruar se mbrojtja e të pandehurve Valon Shefkiut dhe Naser Korçës është e pabazë dhe në kundërshtim me të gjitha provat e mbledhura, qartazi rezulton se të pandehurit i kanë kryer veprat penale të parashkruara në këtë aktakuzë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga kallxo.com, më datë 2 janar të këtij viti, Valon Shefkiu, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe të ankthit, ka kanosur me fjalë gazetarin Musa Sabedinin pasi që ky i fundit ka publikuar një artikull në lidhje me Shefkiun.

Suspendimi i tij u bë nga ana e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, për shkak të aktakuzës së ngarkuar ndaj Shefkiut.

Në lidhje me aktakuzën, Haziri ka suspenduar edhe drejtorin e prokurimit, Salih Kçikun.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme