Kosovarët mbijetojnë kështu

Autobusi i linjës së rregullt Prishtinë-Ulqin niset në orën 9 të mbrëmjes. Për të qenë i sigurt, Ramiz Gashi kishte dalë në 8:30 në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Biletën e kishte prerë më herët, e për t’i mbytur minutat deri në nisje, teksa qëndronte para autobusit, ndezi një cigare. Rrugën drejt Ulqinit ai e bën çdo muaj, shkruan sot “Koha Ditore”. Mungesa e një pune të rregullt në vendin e tij e ka shtyrë të mendojë alternativa të tjera.

Dy vjet më parë, një i afërt i tij që kishte një kompani ndërtimi në qytetin malazias i kishte propozuar punë. Fasadimi i një shtëpie ishte detyra që duhej të bënte.

E paga prej 400 eurosh për Ramizin ishte goxha e leverdishme. Gjatë asaj kohe ai punonte në një kompani ndërtimi në Kosovë, porse thotë se për më shumë se 2 muaj nuk ia kishte ndarë rrogën. Pranimin e ofertës së re s’e kishte menduar dy herë.

“Fitimi del diku 100 euro më shumë se këtu në Kosovë. Mund të dalin deri në 1 mijë euro, por unë s’i marr aq. E këtu, në Kosovë, s’ke punë rregullisht,nga 2-3 muaj s’ta jep rrogën e ‘ta merr shpirtin’. Duhet me mbijetu diqysh”, rrëfen ai derisa nxjerr nga goja shtëllungën e tymit të fundit të cigares.

Lini Një Koment