Krijohet koalicioni i ri opozitar AAK-NISMA -AKR?

E shtune, 05 Nentor 2016 –  Sakte.net  /

Përfaqësuesit e AAK-së dhe të “Nismës” ia kanë hapur dyert AKR-së së Behgjet Pacollit për ta përfshirë në koalicion. Madje, përfaqësuesit e këtyre partive nuk e kanë përjashtuar mundësinë e takimeve me AKR-në për të ecur bashkërisht në procesin e ardhshëm qeverisës

 

Aleanca Kosova e Re (AKR) mund t’i bashkohet AAK-së dhe “Nismës” në koalicionin parazgjedhor. Kështu kanë vlerësuar analistët politikë, të cilët kanë thënë se po qe se ndodh një gjë e tillë, atëherë do të krijohet një parti me fuqi solide politike, shkruan gazeta ‘Zeri’.

E një gjë të tillë nuk e kanë mohuar asnjëra prej këtyre partive. Madje AAK-ja dhe “Nisma” kanë thënë se ka gjasa të jetë biseduar në këtë drejtim. Përfaqësues të këtyre dy partive opozitare kanë deklaruar se i kanë dyert e hapura për AKR-në dhe për partitë e tjera të vogla për të ecur bashkërisht në procesin qeverisës. Mirëpo, për një çështje të tillë nuk ka dashur të komentojë fare Aleanca Kosova e Re.

Megjithëkëtë, para pak ditësh lideri i këtij subjekti politik, Behgjet Pacolli, tha se i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i vetmi prej opozitës që është treguar konstruktiv. Ndërkaq në një prononcim për gazetën “Zëri” ai tha se vijë të kuqe ka vetëm për PDK-në dhe LDK-në.

Lini Një Koment