Ky është zotimi i presidentit Thaçi për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua se do ta krijojë një ekip uniteti për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë. Në tryezën e titulluar “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Thaçi vlerësoi se në këtë fazë nevojitet angazhim i të gjithë akterëve politikë dhe shoqërorë, shkruan sot gazeta Zeri.

Presidenti, pos kësaj, foli edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit, të asociacionit, si dhe për krijimin e ushtrisë, me ç’rast konsideroi se këto çështje duhet të përfundojnë sa më parë.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi bëri të ditur se grupi gjithëpërfshirës do të përbëhet nga klasa politike, shoqëria civile dhe nga mediet.

“Grupi i unitetit do të përbëhet nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha partitë politike, por do të ketë përfaqësues edhe nga shoqëria civile, mediet, akademia dhe kushdo që do të kontribuojë në këtë proces politik”, theksoi Thaçi, shkruan Zeri/.

Ai më tej konsideroi se me një praktikë të tillë mund të dëshmohet jo vetëm konsensusi politik, por edhe ekspertiza sa i përket këtij procesi.

“Në fund të këtij procesi do ta kemi një kualitet të ri të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, një marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit, që do të kontribuojë për paqen e qëndrueshme dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”, shtoi presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi me këtë rast tha se përmbyllja e fazës së fundit të procesit të dialogut nxjerr gjithsej tre fitues, duke përfshirë këtu Kosovën, Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Kurse, deklaroi se normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë, rrjedhimisht arritja e paqes mes të dyja shteteve, siguron edhe paqen në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.

“Paqja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton paqen për Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi presidenti gjatë fjalës së tij, shkruan Zeri.

Ndërkohë, u zotua se krejt në fund të këtij procesi do të ketë një kualitet krejtësisht të ri të raporteve me Serbinë.

“Në fund të këtij procesi do ta kemi një kualitet të ri të marrëdhënieve me Serinë”, shtoi ai.

Tutje, presidenti i vendit tha se duhet të ndërtohet një frymë e atillë e dialogut, e cila do ta përmbyllë kapitullin e luftës dhe do ta rinisë një kapitull të ri.

“Duhet të bëjmë marrëveshje për t’i ikur konfliktit dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme me Serbinë si fqinj. Duhet ndërtuar një frymë dialogu dhe bashkëpunimi; për ta mbyllur kapitullin e luftës dhe për ta hapur kapitullin e paqes”, theksoi ai.

Përpos procesit të dialogut, e cila qe tema qendrore në këtë tryezë, Thaçi foli edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit e  të asociacionit, me ç’rast tha se këto marrëveshje duhet të finalizohen sa më parë.

Ndërkohë, nuk la pa përmendur edhe çështjen e ushtrisë, për të cilën vlerësoi se institucionet duhet t’i përfundojnë të gjitha përgatitjet për përfundimin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Në këtë tryezë diskutimi, pos përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, morën pjesë edhe aktivistë të shoqërisë civile./ZERI/.

Lini Një Koment