Moskthimi i kusurit prej 1, 2 apo 5 cent, bizneset përfitojnë 50 milionë euro në vit

Sa herë shkon në dyqane për të blerë ushqimin e nevojshëm, përballet me punonjësit në arkë për kusurin. Kjo pasi, Hasan Berisha nga Prishtina kërkon të drejtën e tij për të marr kusurin edhe kur bëhet fjalë për 1 cent.
Sipas tij, me një gjë të tillë përballet pothuajse çdo herë dhe po shqetësohet për faktin se ndodh që punonjësit i thonë se nuk kanë një monedhë të tillë për kthim.

Në një prononcim për Indeksonline, ai thotë se ka pasur raste kur edhe është ankuar, por përsëri has në të njëjtin problem dhe se është e kot, pasi institucionet nuk ndërmarrin asgjë për këtë.

“Më ndodh shpeshherë. Në artikujt me çmimin 0.99 euro, apo të ngjashme, pothuajse kurrë nuk më kthejnë kusurin pa e kërkuar vet. Madje po ka raste që kur po kërkoj të mi kthejnë 1 cent, apo 2, aq edhe sa më takon, po hasi në përgjigjen se nuk kanë për momentin një monedhë të tillë”, ka thënë ai.

Me këtë gjendje qytetarët e Kosovës përballen që një kohë të gjatë.

Pos gjendjes së rënduar po përballën edhe me vjedhje gjatë blerjes së produkteve elementare në pothuajse çdo rast kur shifra e tyre përfundon me 99 centë.

Përfitimet financiare të bizneseve nga ky mashtrim arrin shumën deri në 50 milionë euro në vit, thotë kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku.

Në një prononcim për Indeksonline Kaçaniku thotë se kjo dukuri është bërë shqetësuese dhe e dëmshme për qytetarin.

“Përfitimet e bizneseve janë me çmimet, të cilat pak a shumë janë mashtruese, sepse i shmangen numrit të lartë të rrumbullakuar, nga 1 euro quhet çmimi 0.99 cent, sepse konsumatori pretendon se nuk është 1 euro, por 0.99 euro. Mashtrimi dhe përfitimi tjetër është se rrallë kush, të mos them askush, e kthen atë 1 centësh dhe qëllimisht nuk përgatiten që ta kenë monedhën 1 centësh apo 2, për t’ia kthyer qytetarit konsumator. Kjo sjellje shpërfaq karakterin psikologjik edhe të prodhuesit, edhe të tregtarit edhe të shërbyesit, në veçanti të personave që punojnë në arkë, sepse aty ne e përjetojmë nënçmimin më të madh. Përfitimet financiare të cilët ne jemi përpjekur t’i llogarisim, përafërsisht arrijnë deri në 50 milionë euro në vit, që do të thotë se me 50 miliona euro, të ishin menaxhuar ato para siç duhet, ne do të kishim për çdo vit nga 5 mijë vende të reja të punës”, është shprehur Kaçaniku.

Kështu, ai tregon edhe për masat që duhet ndërmarr ndaj këtyre bizneseve.

“Nëse nuk kthehen ato të holla, inspeksioni financiar duhet të merret me ato biznese dhe të gjejnë mënyrën që t’ia kthejnë ato qytetarit-konsumator dhe bizneset e pandershme t’i gjobis në raport të drejtë me lartësinë e abuzimit, që siç thash arrin deri në 50 milionë euro në vit”, ka thënë ai

Sipas tij, ankesat dhe rastet e raportimit për ofendimet dhe abuzimet edhe më të mëdha, janë në rënie e sipër, sepse qytetari/konsumator dhe taksa paguesi ka humbur besimin se ku mund të ankohet.

 

Lini Një Koment