Nga Lëvizja Vetëvendosje sot do të largohet edhe një deputet?

Lëvizjes “Vetëvendosje” pritet t’i ikën edhe deputeti i 13-të me radhë, në këtë rast kjo parti do të mbetet me vetëm 19 deputetë nga 32 sa i kishte fituar në zgjedhje. Deputeti Salih Salihu ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga “Vetëvendosja”.

Lëvizjes po ashtu i janë larguar 2 nga 3 kryetarët e komunave që vinin nga kjo parti

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka humbur pothuajse gjysmën e fuqisë në institucionet e Kosovës, pasi nga 32 ulëset sa kishte fituar në zgjedhjet parlamentare të qershorit së shpejti do të mbetet me vetëm 19.

Derisa tashmë i janë larguar edhe dy nga tre kryetarët e komunave të cilat i kishte fituar në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qendron Kastrati i Kamenicës, ndërkohë i pari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka konfirmuar se nuk largohet nga “Vetëvendosja”.

Deputeti i 13-të me radhë që mund t’i largohet “Vetëvendosjes” është Sali Salihu, i cili në një prononcim për gazetën “Zëri” nuk e ka përjashtuar mundësinë që të largohet nga kjo parti.

“Ende nuk kam vendosur, mirëpo kur të vendos do t’ju tregoj. Nuk po e di, jam duke menduar se çfarë të bëj. Nuk e di ende”, ka deklaruar ai.

Salihu së bashku me të dorëhequrit, Dardan Sejdiun, Shpend Ahmetin e Fisnik Ismailin, kishte qenë anëtar i partisë Fryma e Re (FER), që më pas iu bashkua “Vetëvendosjes”.

“Të pakënaqurit” e “Vetëvendosjes” së shpejti do ta formojnë një grup të ri parlamentar dhe më pas edhe një parti të re politike.

Lini Një Koment