Presidenti fal vrasësin e babait të Arbenitës, por ky është paralajmërimi i saj! (Video/Foto)

Rrëfimi i vajzës së të ndjerit, babai i së cilës u vra nga personi që Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e fali në ditën e djeshme.

Arbenita Arifi, vajza e të ndjerit, Agron Arifi, i cili me datën 11 tetor të vitit 2010 është vrarë nga Ruzhdi Misini, ka treguar ekskluzivisht për “Gazeta Blic”, për tmerrin që ka përjetuar familja e saj për herën e dytë në natën e mbrëmshme me vendimin e Presidentit për t’i falur vrasësit të babait të saj 2 vite burg.

Arifi, ka thënë se, ajo dhe familja e saj, nuk ka qenë në dijeni se Presidenti i vendit, në mesin e 14 personave ka vendosur ta falë edhe Ruzhdi Misinin.

Arbenita, e cila është vetëm 24 vjeçare, ka treguar edhe momentin e parë se si ajo e kuptoi për vendimin e marrë nga Presidenti.

“Jo hiç nuk kemi qenë në dijeni kurrë, mbrëmë me 11 prill e kemi kuptuar se në listën e të falurëve është edhe vrasësi i babait tonë, faktikisht vëllai mbrëmë e ka parë lajmin në Facebook dhe ai moment ka qenë i njëjti sikurse jemi ndier ne kur ai është dënuar, bile edhe më keq, sepse, ai nuk është dënuar me dënimin e merituar, sepse, ai ka kryer vepra të rënda, tash unë me i’a falë a?”, është shprehur vajza e të ndjerit.

Vajza e të ndjerit, me shumë pikëllim, ka treguar momentin se, si familja e saj kishin vendosur të bëjnë ankesë për t’i zgjatur dënimin dorasit, i cili e la atë e motrën e vëllezërit e saj pa baba.

Por, një gjë e tillë u refuzua nga organet e drejtësisë. Ndërsa ajo e cilëson të padrejtë dhe johuman vendimin e Presidentit të vendit.

“Ne kur e kemi bërë aneksen për me i’a shtu dënimin, ata nuk e kanë pranuar tash me u çue me i’a falë kur ai as nuk është dënuar siç duhet për gjithë ato vepra, tash me u çue ky (Presidenti .vj.) ma i’a falë, shumë e palogjikshme shumë, shumë, shumë”, ka thënë ajo, raporton Gazeta Blic.

Arifi, është shprehur tejet e zhgënjyer me vendimin që vrasësit të babait të saj t’i heq 2 vjet të burgut, madje ajo ka paralajmëruar se familja e saj do të ndërmarrë hapa të mëtejmë.

“Edhe pse jemi shumë të zhgënjyer me drejtësinë në Kosovë tej mase, por, prapë ne duhet me vazhdu sipas ligjit. Kemi me bo ankesë që nuk bën kështu duhet me i mendu disa gjëra edhe në mënyrë më njerëzore”, ka deklaruar ajo.

“Jemi duke shpresuar se mundemi me fitu rastin, por, e dimë që kjo ngjarje qysh nga fillimi nuk ka shkuar mbarë, sepse pesë herë janë ndërruar gjyqtarët. Ai i ka pasur dy avokatë, të gjitha dhe, prapë, i’a kanë arritur qëllimit dhe nuk janë ndalë. Kështu që, as ne nuk kemi me u ndalë”, tha ajo, përcjell Gazeta Blic.

Edhe njëherë, Arbenita, 24 vjeçare i ka bërë thirrje Presidentit, Thaçi që, para se të marrë një vendim të tillë, të mendonte në mënyrë njerëzore, për atë se si do të ndjehej ajo dhe familja saj.

“Nuk e di, njeriu, pikë së pari duhet me mendu në mënyrë njerëzore, e jo në mënyrë politike siç edhe bëjnë. Po e ritheksoj, vrasësi i babait tim nuk është dënuar siç duhet, gjithë ato lëndime së pari me ‘brushalic’, zhagitje të kufomës e gjithë këto, deklaratat e tij të rrejshme se, kinse ai, është vetëmbrojtur etj.”, ka përfunduar Arifi.

Një gjë tjetër që po e shqetëson, Arbenitën, janë edhe provokimet që po i bëjnë familjarët e Ruzhdi Misinit, asaj dhe familjes së saj.

Kujtojmë se, Ruzhdi Misini, personi i cili i vrau babën, Arbenistës, ishte dënuar më 13 vjet e gjashtë muaj burgim. Ai, deri tani, ka kaluar gjithsej 7 vjet e 6 muaj në burg.

Ndryshe, 14 persona të dënuar me burg, kanë përfituar nga falja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në mesin e tyre edhe Ruzhdi Misini.

Ruzhdi (Murat) Misini, i lindur në Dragash, më 29.05.1958 , i falen dy vite, thuhet në dekretin e publikuar më 10 prill nga presidenca.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë me Arbenita Arifin, vajzën e të ndjerit:

Lini Një Koment