Prishtina ka nevojë për punëtor të heshtur, e jo për “pozer” të zhurmshëm

Xhevdet Pozhari

Ndoshta edhe nuk e mbani mend kur ia pari pata raportuar se Liburn Aliu mund të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës. Asokohe, ende ishin larg zgjedhjet lokale. Ndonëse u desht reagim edhe nga qendra e Prishtinës që asokohe udhëhiqej nga Ylli Hoxha, shqetësimi mbeti pezull. Të gjithë donin ta zbulonin burimin. Ose, thënë më saktë, e dinin, por nuk mund ta thonin haptazi ngaqë i kishte pushtuar frika se ai “burim” ua kishte demaskuar lojën dhe prej kohësh ishte në dijeni për prapaskenat që ia përgatisnin, të verbuar për pushtet, ata që do të duhej të ishin bashkëpunëtorët më të afërt të tij….

Vazhdimin e rrëfimit e dini! Tashmë është i njohur për të gjithë.

Mbase, më lehtë e keni ta mbani mend kur jo shumë kohë më parë shkrova se sa interesante do të ishte që Shpend Ahmeti të garonte me siglën e LDK-së, për mandatin e tretë kundër Arben Vitisë së VV’së. Në fakt, ky parashikim doli të jetë pjesërisht i saktë: Arben Vitia tashmë zyrtarisht është kandidat i VV’së.

Sikur ta shkruaja direkt se Prishtinës e cila vazhdon të lëngon nga pasiviteti dhe dembelia e atij që vazhdon tani në mandatin e dytë t’i realizojë projektet e ngecura që do të duhej të ishin kryer qëmoti, siç është bie fjala projekti tek sheshi “Adem Jashari”, i duhet një mjek që do ta shënonte nga simptomet e përtacisë, sipas gjitha gjasave Arben Vitia s’do të ma falte kurrë!

Doktori i cili me mish e me shpirt iu përkushtua përmirësimit të shërbimeve primare në kryeqytet, gjatë katër viteve heshti dhe la që puna e tij të fliste. Llomotitjen ua la dembelëve që deri vonë e “zhduknin” edhe nga fotografitë e promovimit të qendrave të renovuara të mjekësisë familjare.

Doktori të cilit për katër vite iu mohua edhe mundësia që të ketë asistent/e sa për t’ia koordinuar orarin e takimeve dhe angazhimeve, u bë vetë shërbëtorë dhe vetë drejtor vetëm që qytetarët të kenë shërbime më cilësore shëndetësore.

Ai s’mund ta dinte se kishte provokuar thellësisht smirën dhe xhelozinë e atyre që pamëshirshëm përfitonin në kurriz të punës së tij, edhe atëherë kur “çuditërisht” ia kishin lidhur duart me zgjerimin e stafit. Kuptohet, jo të gjithë ishin të verbër dhe aq smirëzi. Në heshtje vështronim punën e atij që rrezikonte edhe shëndetin duke punuar me orarë të stërzgjatur. Dhe nuk ishte i vetmi. Në kurriz të shëndetit të disa drejtorëve vazhdonin të përfitonin ata që pamëshirshëm e njihnin vetëm “logjikën e numrave” dhe ngërdheshjet idioteske para kamerave.

Dhe, numrat në fund “folën”! Arben Vitia ishte asamblesiti më i votuar në Kosovë. Në konferencë, ai u pa afër derës, i gatshëm t’ia mbath nga mediat. Ishte mësuar qëmoti që të tjerët të fryheshin si shota duke mos lënë hapësirë për ata që katër vite i hoqën të zitë e ullirit vetëm që brenga e qytetarëve të zbutet.

Pak rëndësi ka nëse Arben Vitia do të jetë kryetar i ardhshëm i Prishtinës! E rëndësishme është të thuhet se jo vetëm kryeqyteti, por e tërë Kosova vuan që të udhëhiqet nga njerëz që punojnë e përkushtohen me mish e me shpirt, pa kërkuar asgjë si kundërvlerë.

Lini Një Koment