Thaçi për mediat japoneze: Do të arrijmë marrëveshjen historike me Serbinë

Presidenti Hashim Thaçi ka folur për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në intervista të ndara për televizionin publik të Japonisë, “NHK”, si dhe gazetën më të madhe në vend “Mainichi”.

Presidenti Thaçi ka folur për shtetndërtimin, zhvillimin ekonomik, aspiratën për t’u bërë vend anëtar i NATO-së dhe i BE-së, por edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për të përditshmen japoneze “Mainichi”, Thaçi ka theksuar se në këto 10 vite Kosova ka arritur të sigurojë shumë njohje dhe anëtarësime në shumë organizata ndërkombëtare.

“Në këto 10 vite kanë ndodhur ndryshime historike”, është shprehur ai, për të shtuar se në dekadën e parë të pavarësisë, Kosova ka arritur që të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind. Sipas tij është arritur që të përmirësohet numri i të punësuarve, si dhe rritja e mirëqenies sociale.

E duke theksuar aspiratat e Kosovës për t’u bërë sa më shpejt anëtare e BE-së dhe NATO-s, Thaçi ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për televizionin publik të Japonisë, “NHK”, ai ka thënë se beson që gjatë këtij viti do të arrihet një marrëveshje historike ndërmjet dy shteteve.

“Do të ndërtojmë, do të arrijmë marrëveshjen historike, si dy vende sovrane, për paqe, stabilitet, normalitet dhe pajtim e bashkëpunim”, ka shtuar Thaçi për “NHK”.

Ndërsa për gazetën e përditshme “Mainichi”, ai është shprehur se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do t’i mundësojë Kosovës anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Lini Një Koment