Zaev: Do të bashkëpunojmë me BDI-në në më shumë komuna, ofertë për Taravarin

I ftuar në emisionin Top Tema, kryeministri Zoran Zaev u shpreh se është i gatshëm të mbështesë kandidatin e BDI për komunën e Çairit, sepse vlerëson se është zgjidhje e mirë dhe ka marrë edhe përkrahjen e degës së LSDM-së nga kjo komunë.

“Gjasat janë të larta që me BDI-në të garojmë si koalicion në më shumë komuna, si dhe të marrim përkrahjen e tyre për Bashkinë e Shkupit që në rrethin e parë, e jo të pritet në rrethin e dytë si kalkulim politik”, tha Zaev në Telma.

Për kandidaturën e Ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari, Zaev tha se nëse nuk fiton në garën për komunën e Gostivarit, nuk do ta ketë rëndë ta mbajë atë si ministër në Qeveri, sepse beson që është kuadër cilësor, por theksoi se ka kuptim për Aleancën për shqiptarët, sepse është parti e re që kërkon mënyrë për të arritur sukses.

Lideri i LSDM-së, po ashtu tha se do të kenë kandidatë të tyre në Kondovë, Likovë, Strugë dhe komuna tjera, ku pret që edhe votues maqedonas edhe shqiptarë të votojnë për kandidatët e tyre të kombit shqiptar, njofton Telegrafi.

Lini Një Koment